Futboll Sport

FORMACIONI/ 98 vende distancë në FIFA dhe 67 milionë euro diferencë, Shqipëria dominon në letër Moldavinë

– Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot në orën 18:00 kundër Moldavisë në transfertë, për ndeshjen e parafundit në grupin E kualifikues të Euro 2024. Një pikë iu nevojiten “Shqiponjave” për të nisur zyrtarisht fluturimin në fazën finale të “Gjermani 2024”.

Të parët në grup me 13 pikë, Shqipëria ka dominuar këto kualifikuese duke qenë skuadra që ka shënuar më shumë gola dhe ka pësuar më pak, andaj të besuarit e Sylvinhos nuk janë aspak surprizë në këtë turne.

Ndeshja në fushë sot nis 0-0, por statistikat në futboll janë të vlefshme. Kuqezinjtë kanë 98 pozicione distancë nga Moldavia, që gjendet e 157-ta në renditjen e FIFA-s, teksa tanët mbajnë pozitën e 59-të.

Nëse shohim sesa vlen ekipi ynë, edhe pse pa Brojën dhe Kumbullën për shkak të problemeve fizike, diferenca është 66.7 milionë euro, në favor të tanëve. Në grumbullimin e fundit që ka bërë Sylvinho, ekipi ynë vlen 81.7 milionë euro dhe lojtarët më të shtrenjtë janë Asllani me 12 milionë euro, Gjimshiti me 10 milionë euro si edhe Uzuni me 9 milionë euro.

Nga ana tjetër, totali i ekipit moldav kap vlerën e 15.04 milionë euro, teksa lojtari kundërshtar më i vlefshëm është mbrojtsi Oleg Reabciuk me 5 milionë euro dhe që luan me Sparkatun e Moskës.

Shqipëria në këtë duel do ketë mbështetjen e më shumë se 1 mijë tifozëve, në një stadium me 10.500 ulëse. Sa i takon formacionit, Sylvinho nuk pritet të ndryshojë asgjë nga fitorja e fundit me Çekinë, përjashto rikthimin në qendër të Ismajit. Dyshuese mund të jetë forma e Asllanit, që ka pasur një problem fizik, megjithëse duket se e ka kaluar. Për t’u evidentuar edhe ndeshja e fundit mes dy skuadrave, po për Euro 2024 në grupin E, ku ekipi ynë fitoi 2-0 në “Air Albania” me golat e Asanit dhe Bajramit, për t’i shkaktuar humbjen e vetme moldavëve në këto kualifikuese. Moldavia nuk ka humbur për grupin E asnjë ndeshje në shtëpi, çka do bëjë që tanët të kërkojnë tri pikët.

Kombëtarja në këtë sfidë ka në dorë dy rezultate, ndërsa e kalon në fazën finale edhe një barazim, teksa edhe humbja e tanëve, shoqëruar me fitoren e Çekisë kundër Polonisë (sot 20:45), do bënte që ekipi ynë për herë të dytë të shkonte në fazën finale të Europianit, pas Francë 2016.

Në grupin E kualifikues, Shqipëria me 13 pikë mban vendin e parë, ndjekur nga Çekia me 11-të, Polonia me 10-të, Moldavia me 9-të dhe Ishujt Faroe me vetëm një pikë.

Në gjashtë ndeshje të luajtura, Shqipëria ka shënuar 11 gola dhe ka pësuar vetëm 3, më mirë se çdo ekip. Moldavia ka shënuar gjashtë dhe ka pësuar po gjashtë gola.

Formacioni i mundshëm:

Shqipëria (4-3-3): Berisha; Hysaj, Gjimshiti, Ismajli, Mitaj; Bare (Asllani), Ramadani, Bajrami; Seferi, Asani, Cikalleshi Trajner: Sylvinho

Related posts

Jens Lehmann: Neuer duhet të jetë patjetër në Botëror

Sadik.Autor

Mirabelli: Merkato e droguar, Bonucci nuk shitet!

Q.Autor

E PAZAKONTË/ Helikopteri në fushë për të transportuar tifozen, ishte GATI PËR TË LINDUR NË…

Isa.Autor

Leave a Comment