Pas transferimit të bujshëm të Kevin De Bruyne, Napoli po synon një tjetër lojtar me përvojë të madhe. Bëhet fjalë për mesfushorin gjerman Thomas Müller. Sipas “Fichajes”, klubi italian po përpiqet ta bindë 36-vjeçar, i cili do të largohet nga Bayern Munich pas Kupës së Botës për Klube, pas 25 vitesh në klub, të transferohet në Itali, tek skuadra kampione e Napolit. Müller nuk ka në plan të pensionohet dhe është i hapur për një eksperiencë të re, ndoshta edhe në Serie A.
Ndërkohë, Napoli është në kërkim të një partneri sulmues përkrah Romelu Lukaku. Objektivi kryesor është Darwin Núñez nga Liverpool, por çmimi prej 60 milionë euro dhe paga prej 6 milionë në vit janë pengesa të mëdha. Nëse nuk arrihet marrëveshje, alternativa është Lorenzo Lucca i Udineses, për të cilin Napoli mund të paguajë rreth 30 milionë euro. Po ashtu, është përmendur edhe Gennaro Borrelli, aktualisht lojtar i lirë. Vendimi përfundimtar pritet brenda 48 orëve.
Shumë tratativa janë ende në nisje të tyre, por ajo që mund të thuhet plot siguri është se Napoli për momentin është një hap përpara të tjerëve, në prag të nisjeve të grumbullimeve të skuadrave të Serie A. Jo vetëm ardhja e De Bruyne, apo tentimi për të afruar në Napoli emra big, por mbi të gjitha qëndrimi i teknikut Antonio Conte mund të konsiderohet deri tani si tratativa më e bujshme e presidentit napoletan De Laurentis.