Edgar Davids, ish-mesfushor i Juventus-it dhe Milanit, ka qenë i pranishëm në një eveniment që është zhvilluar këtë të enjte në Firence. Holandezi ka folur për futbollin dhe në veçanti për kuqezinjtë dhe bardhezinjtë.
“Është e qartë se këtë vit Juventus mund të fitojë edhe Champions League, mundësitë janë më të mëdha me CR7. Gjithashtu, është e qartë tashmë se kampionati nuk i mjafton më. Skuadra e Allegrit po bën diçka të jashtëzakonshme dhe është në historinë e futbollit italian”, ka thënë Davids.
“Lojtari që më ngjan më shumë? Futbolli ka ndryshuar pak, por Matuidi më pëlqen. Më duket më i pjekur pas Kupës së Botës dhe mendoj se mund të përmirësohet akoma. Kam besim tek ai”.
Holandezi ka folur edhe trajnerin Gattuso: “Më pëlqen shumë, në fushë ka dhënë gjithmonë gjithçka për të fituar dhe tani është bukur ta shohësh në drejtim të Milan-it. Më vjen keq për humbjen në Superkupë”.
“Higuain? Ka luajtur mirë me Napoli-n dhe Juventus-in, shpresoja që të paraqitej mirë edhe me Milan-in, sepse mendoj se është një lojtar i madh që mund të shkëlqejë akoma. Piatek? Nuk e njoh mirë. Gjithsesi, Gattuso, Maldini dhe Leonardo janë të aftë të gjejnë lojtarin e duhur për Milan-in”.
Davids ka folur edhe për De Ligt, një nga talentet e Holandës që ndiqet edhe nga Juventus: “Është një lojtar i ri dhe shumë i aftë, por gjërat mund të ndryshojnë kur largohesh nga vendi yt për të luajtur te një ekip i madh. Uroj që të vazhdojë kështu. Janë të fortë edhe De Jong me Kluivert, por në Itali duhet pak kohë që të përshtatesh”, ka përfunduar ish-mesfushori.