Futboll Sport

Botërori Italia ’90 / Si u bë Salvatore Schillaci heroi i papritur i një populli

Kompeticioni i Kupës së Botës është i destinuar të dhurojë kujtime të paharrueshme. Gëzime, befasi, gola emblematikë, zhgënjime dhe lavdi nuk kanë munguar në asnjërin prej edicioneve të kampionatit botëror të futbollit. Turneu që zgjat vetëm një muaj dhe mbërthen miliarda njerëz çdo katër vjet është skena ku ngjiten yjet më të mëdhenj të këtij sporti. Por Botërori ka prodhuar në të njëjtën kohë përveç shkëlqimit dhe anën e errët të ndeshjeve të kontestuara apo kualifikimeve të dyshimta. Njësoj si në kinematografi ku aktorët përfaqësojnë një karakter pozitiv apo negativ edhe botërori ka personazhet e vetë disa të adhuruar dhe disa të tjerë të urryer për gjestet apo deklaratat.

Skuadrat kombëtare i varin shpresat për triumf tek “11 luftëtarët” e vendosur që duhet të fitojnë çdo betejë për të arritur “majën e Olimpit”. Dhe një futbollist që plotëson portretin e heroit është Salvatore Schillaci. Historia e shkëlqimit të tij Kupën e Botës “Itali 1990” është sa e pabesueshme aq edhe frymëzuese. Nëse do njohim karrierën dhe të kaluarën e “Totos” do të krijojmë një respekt të pazëvendësueshëm për të. Golashënuesi dhe lojtari më i mirë i edicionit Italian të Kupës së Botës mbërriti në kompeticion si një spektator. Italia e asaj kohe ishte përgatitur vetëm për të fituar kampionatin. Armata e futbollistëve të bekuar me talent dhe trofe si Baresi, Maldini, Bergomi, portieri Walter Zenga, mesfushorët milanistë Roberto Donadoni me Carlo Ancelottin, sulmuesit e Sampdorias, Gianluca Vialli dhe Roberto Mancini, talenti Roberto Baggio ishte përzgjedhur për të triumfuar pa kushte në fushatën që zhvillohej në atdheun e tyre. Duke patur në krah dhe publikun vendas kishte pak dyshime se “Të kaltrit” do të dështonin. Por futbollisti që erdhi nga errësira e panjohur dhe i priu ekipit italian nuk ishte askush tjetër përveçse Schillaci.

I lindur në një territor të përjashtuar nga pjesa tjetër e Italisë siç ishte rajoni problematik i Siçilisë, ku varfëria, krimi i organizuar dhe mafia që kishte mposhtur shtetin, Schillaci kaloi midis pengesave të fëmijërisë dhe adoleshencës për t’u bërë një futbollist profesionist. Ai u përfshi me ekipin amator të AMAT Palermos, por ishte skuadra e Messina-s që i siguroi një kontratë të vërtetë në 1982. Skuadra e re u bë shtëpia e tij ku qëndroi për 7 vjet. Me kalimin e kohës filluan të vinin dhe golat e parë nga sulmuesi siçilian. Por Messina militonte në rangun më të ulët të futbollit italian në Serinë C2 dhe iu deshën katër vite për kaluar çdo fazë për të luajtur në Serinë A. Ardhja e trajnerit çek Zdenek Zeman në 1988 injektoi frymëmarrje të re besimi te Messina. Schillaci e gjeti veten në formacionin e Zemanit dhe shënoi 23 gola në 35 takime të Serisë B në fund të sezonit 1988-1989.

Në këtë periudhë të largimit të Michel Platini nga Juventusi në 1987-n, një skuadër që kishte dominuar Serinë A për disa vite dhe renditej ndër ekipet më të mira të Europës, bardhezinjtë nisën fazën e rinovimit të skuadrës. Schillaci hyri në radarin e “Zonjës së Vjetër” ku do të luante me talentin danez Michael Laudrup. Për “Toton” arritja në Torino ishte një moment lumturie dhe çlirimi nga e kaluara e mundimshme. Me ekipin që drejtohej nga një legjendë juventine si Dino Zoff, Schillaci regjistroi 15 gola në 30 ndeshje kur Juventusi rrëmbeu Kupën e Italisë dhe Kupën UEFA. Karriera e tij tashmë peshohej me trofe të rëndësishëm.

Vullneti dhe përkushtimi në fushë dhe stërvitje e bindën trajnerin e Italisë, Azeglio Vicini ta përzgjidhte si njërin prej 22 lojtarëve që do të vishte fanellën e kaltër. Por duke patur rivalë për pozicionin para portës si Vialli, Mancini, Andrea Carnevale dhe Aldo Serena, sulmues prej vitesh me ekipet më të mira ta Italisë, Schillacit, kjo përzgjedhje nga trajneri Vicini mjaftonte për t’i dhënë një lloj krenarie duke qenë midis lojtarëve më të spikatur të kohës. Në prag të ndeshjes me Austrinë, “Toto” priste me shumë gjasa ta ndiqte ndeshjen nga tribuna dhe jo nga pankina. Përballë austriakëve tifozët vendas kërkonin një fitore të shpejtë dhe spektakolare.

Në një atmosferë të mbushur me brohorima dhe flamuj tringjyrësh, Italia dukej se ishte gati të shkelte me këmbë rivalët inferiorë. Por skenari i përgatitur për ndeshjen rezultoi i dështuar. Carnevale dhe Vialli falën raste të shumta për të shënuar duke gabuar shënjestër në çdo aksion. Jo pak pengesë u bë dhe portieri austriak. Kur kishte kaluar më shumë se një orë lojë, Vicini u bind se duhej të gjente medoemos golin dhe zgjodhi Schillacin të hidhte në fushë në vend të sulmuesit Andrea Carnevale në minutën e 75-të. Durimi i tifozëve vendas kishte mbaruar dhe tekniku italian duhej të shpëtonte nga një rezultat turpërues. I freskët dhe me energji gati për t’i konsumuar Schillacit iu deshën tre minuta për të shënuar, kur shokëve të ekipit nuk u mjaftuan as edhe një orë lojë. Vialli kroson nga krahu i djathtë dhe Schillaci i rrethuar nga dy mbrojtës shtatlartë austriakë kërcen lart dhe zhyt topin në rrjetë. Italianët çlirohen nga makthi dhe shpërthejnë në ovacione.

Schillaci përjeton momentin më ekzaltues të karrierës dhe gjithë shokët e ekipit i dhurojnë përqafime dhe lavdërime. Ndeshja e parë mbyllet 1-0. Por media kishte nisur të kritikonte zgjedhjet në formacion të teknikut italian. Pas një tjetër fitore të vuajtur ndaj SHBA-së, italianët siguruan kualifikimin në fazën e dytë por ekipi nuk kishte treguar përmirësim në lojë. Vicini u bind përfundimisht për të hedhur në fushë talentin Roberto Baggio dhe Salvatore Schillacin në ndeshjen fundit ndaj Çekosllovakisë.

Ndeshja përfundoi me shifrat 2-0 ku “Toto” dhe “Bishtaleci hyjnor” vulosën golat e takimit. Baggio shënoi golin më të bukur të kompeticionit duke dribluar nga mesfusha në stilin “Maradona”. Por ajo çfarë kishte rëndësi mbi të gjitha ishte dominimi dhe eleganca në lojën e skuadrës “Azure”. Schillaci dhe Baggio dirigjuan lojën dhe suksesin e italianëve duke lënë në hije Viallin, Mancinin, Ancelottin, etj. Ditën nesërme mediat italiane kaluan në ekstazë nga performanca e skuadrës së tyre ndaj rivalëve lindorë. Titulli më i goditur erdhi nga “Gazzetta Dello Sport” (“Sa e bukur je!).

Pas kësaj ndeshjeje Vicini u dorëzua përfundimisht përballë presionit të bashkëpatriotëve të tij duke zgjedhur si titullar Schillacin dhe duke i dhënë liri dhe yllit të ardhshëm të Juventusit, Baggio. Në raundin e 1/16 Italia u përball më Uruguajin. Problemet e fazës së parë duhej të liheshin pas dhe e gjithë vëmendja ishte për të kaluar amerikanojugorët. Schillaci zgjidhi i vetëm sfidën ku me një goditje fluturimthi midis dy mbrojtësve uruguaianë jashtë zonës së rreptësisë trullosi portierin kundërshtar. Italianët duhej t’i faleshin vendosmërisë së siçilianit. Më tej Aldo Serena sulmuesi i Interit preu zyrtarisht biletën për në fazën çerekfinale ku italianët i priste skuadra e Irlandës.

Tashmë e vetmja gjë që mund të befasonte ishte nëse Schillaci nuk do të shënonte. Dhe ndaj Irlandës parashikimi nuk gaboi. Dukej se fati kishte zgjedhur siçilianin si “gardianin” e Italisë. Pas një goditje nga mesfushori i Romës, Giuseppe Gianini, portieri rival nuk e largon topin si duhet duke i dhënë mundësi Schillacit që ndodhej brenda zonës të korrigjonte gjuajtjen e kapitenit të Romës, Gianini. Edhe pse italianët nuk shënuan gola në masë, mjaftonte një gol nga Schillaci për të mbyllur çdo llogari me ekipet kundërshtare. Brenda një muaji Schillaci u kthye në njeriun e ditës në Itali. Shumë e krahasonin rrugëtimin e tij në Botëror me atë të heroit paraardhës të Italisë Paolo Rossin, i cili në vitin 1982 në 3 ndeshje shënoi 6 gola për të ngritur në qiell kupën e tretë të botës. Siҫiliani “Toto” kishte fituar famën e yjeve të tjerë të botërorit si Maradona, Matthaus, Klinsman, etj. Mbi të gjitha atij i mjaftoi një muaj të kapërcente kufijtë e vendlindjes duke u bërë i njohur në mbarë botën.

Por krahasimi me Rossin nuk duket i zgjedhur mirë. Po të krahasojnë karrierën e dy futbollistëve, Rossi ishte një lojtar i dalluar dhe me emër në momentin kur nisi botërori, kur Schillaci nuk renditej as në futbollistët më të spikatur të Italisë. Diferencimi me ish-kampionin Rossi e bën të ndërgjegjshëm Schillacin. “Rossi është një kampion. Unë jam një djalë modest dhe i zakonshëm. Vetëm shpresoj të realizoj atë çfarë jam përpjekur të bëj”, deklaron në një intervistë “Toto”. Tashmë ai duhej t’i tregonte mbarë botës se sa e aftë ishte Italia të rrëmbente titullin e botërorit nga kampionët në fuqi të Argjentinës, që i falej magjisë së Maradonës. Gjysmëfinalja në stadiumin e Napolit mbetet e regjistruar në memorie si një nga sfidat më të luftuara dhe më ekzaltuese të botërorit që rezultoi një “sezon thatësie në gola”. Italianët mbërritën në gjendje euforike duke mos pësuar asnjë gol në 5 ndeshjet e luajtura, kjo falë dhe meritës së portierit interist Zenga dhe mbrojtjes së konsoliduar me Baresin, Maldinin, Bergomin dhe Ricardo Ferrin.

Ata vunë nën diktat lojën dhe argjentinasit duhej të përballonin stoikisht sulmet e njëpasnjëshme të skuadrës së Azeglio Vicinit. Në një aksion që u ndërtua nga Schillaci, Vialli dhe Gianini ishte “Toto” që ekzekutoi saktësisht aktin duke mposhtur portierin argjentinas Sergio Goycochea, i cili kishte mbërritur në turne njësoj si Schillaci. Ai do të zgjidhej në formacionin më të mirë të turneut pas përfundimit të edicionit.

Schillaci feston në këndin e djathtë të fushës me duar lart që zgjaten drejt qiellit. Italia beson parakohe se finalen e ka hipotekuar. Por Argjentina provon se jo më kot është kampione në fuqi. Maradona shkëmben pasim me Olarticochean, i cili dërgon një kros në zemër të mbrojtjes italiane. Zenga bën gabimin e vetëm në këtë garë. Në përpjekje për të larguar krosimin nga zona ai braktis portën duke i dhënë mundësi sulmuesit argjentinas Claudio Caniggia të shënonte me pjesën e pasme të kokës. Goli i vetëm i pësuar në këtë turne ndryshon dhe fatin e italianëve. Skuadrat më tej u përpoqën të shënonin por asnjë gol nuk do të shënohej më. Gjysmëfinalja duhej të kalonte nga prova drithëruese e “Ruletës Ruse”: penalltitë.

Argjentinasit kanë në duar një ekspert të ndalimit të penalltive dhe Goycochea pret gjuajtjet e Donadonit dhe Serenas, duke i zhytur italianët në traumën e zhgënjimit dhe heshtjes. Aventura përrallore e Italisë dhe Schillacit u kthye në një dramë. Pikëllimi pushtoi dhe heroin më të çmuar të botërorit. I mposhtur nga zhgënjimi që nuk arriti të prekte finale e premtuar të turneut, ai kaloi në dhomat e zhveshjes me shokët e ekipit dhe qëndroi, duke pirë duhan në pamundësi për të larguar këtë goditje të rëndë. “Toto” pranoi vite më vonë se as lotët nuk mundi t’i përmbante.

Italisë i kishte mbetur të fitonte “finalen e vogël” ndaj Anglisë. Schillaci e përfundoi turneun duke shënuar dhe në ndeshjen e fundit nga penalltia ndaj “Tre Luanëve”. Atij iu bashkua dhe Roberto Baggio në tabelën e rezultatit duke shënuar golin e dytë personal në këtë kompeticion. Megjithatë mister mbetet përse “Toto” nuk doli vullnetar për të ekzekutuar penalltinë ndaj Argjentinës. Ai u përgjigj se kishte dhimbje në kofshë dhe nuk donte të rrezikonte fatin e ekipit. Për më tepër penalltitë nuk ishin specialiteti i tij. “Itali 1990” u provua se ishte një ëndërr e vërtetë për Salvatore Schillacin. 6 golat e shënuar dhe shpirti luftarak në fushë, dhe fakti që tërhoqi pas vetes një shtet të tërë dhe mbarë botën i dhanë të drejtë të vlerësohej si “Futbollisti më i mirë i turneut”. Schillaci u rendit i dyti në garën për çmimin individual “Topin e artë” në fund të vitit duke dalë i dyti pas kapitenit gjerman Lothar Matthaus, i cili fitoi kampionatin me Gjermaninë Perëndimore.

Për shumë yje futbolli, Kupa e Botës është kurorëzimi i një karriere të gjatë dhe talentit personal, për shumë të tjerë mund të jetë testi real për të kaluar stadin nga një i talentuar i ri në një yll apo kampion në vitet e ardhshme. Por për Schillacin nuk pati asnjë interesim nga një ekip i madh. Vazhdimi i karrierës u godit rëndë pas botërorit. Ai nuk u shpëtoi dot dëmtimeve të gjata që mori te Juventusi. Kjo ndikoi dhe në perfomancën në fushë. Italiani që u kthye në makineri golash në 1990 në një Botëror duke mposhtur në statistika edhe qitësit më të mirë të kohës, pësoi rënie rendimenti në lojë. Ai iu bashkua Interit në 1992, por në dy vite “Toto” mbeti një “hije” e torturuar. Vetëm një kalim në Japoni i dha më në fund qetësinë dhe sigurinë për të luajtur sërish futboll.

Schillaci mbetet një hero dramatik për faktin se nuk doli fitimtar në “Itali 1990”, por ai edicion ndryshoi totalisht karrierën dhe jetën e tij duke u bërë në pak kohë pjesë e rangut të futbollistëve më të suksesshëm. Ai provoi pa kurrfarë dyshimi se madhështia nuk është një virtyt i destinuar vetëm për të mëdhenjtë, çdo njeri jeton në madhështinë e tij për aq kohë sa ai i dedikohet një çështjeje apo objektivi që synon të finalizojë.

Fotografia e Schillacit me uniformën e Italisë në 1990, damarët që dalin mbi lëkurë nga adrenalina, sytë e pushtuar nga pasioni i çmendur ruhet si njëra nga ikonat më të vyera dhe më të gjalla të Kupave të Botës.

Related posts

MERKATO E BUJSHME/ Chelsea e ka seriozisht për De Jong, Barcelona refuzon ofertën e parë

Delo.autor

PËRBALLJA GJYMËFINALE CHAMPIONS/ Ja lajmi i mirë që merr Potchettino për sfidën ndaj Ajaxit

Delo.autor

SPEKTAKOLARE/ Crawford konfirmohet kampion bote, PLAS NË TOKË Benavitez (VIDEO)

Isa.Autor

Leave a Comment