Formula 1 pritet të pësojë një ndryshim rrënjësor sezonin e ardhshëm. Gjatë kësaj fundjave, në Bahrein, ku dhe do të zhvillohet gara e radhës e Botërorit 2018, do të diskutohet në lidhje me sistemin e ri të kualifikimit që zhvillohet ditën e shtunë, i cili pritet të pësojë një ndryshim rrënjësor.
Çka do të thotë që mund të hiqen provat zyrtare, të cilat përcaktojnë edhe renditjen e pilotëve para garës së të dielës. Por si do të veprohet për “pole position”?
Liberty Media po mendon që të shtunën të zhvillojë një mini-garë, e cila do të jetë 100km, ose një garë që zgjat rreth 45 minuta, gjatë së cilës nuk do të ketë limit në përdorimin e karburantit dhe ku ndërrimi apo jo i gomave nga ana e pilotëve është i lirë.
Një “sprint race”, e cila do të përcaktonte edhe renditjen e pilotëve për garën e së dielës, ku nuk do të jepeshin pikë.
Por kjo mund të mos jetë një ide shumë e mirë, pasi shpesh spektakli më i madh jepet gjatë provave zyrtare dhe gara është më së shumti e mërzitshme, pa parakalime, siç ishte gara e parë sezonale, në Australi.
Një ide tjetër e Liberty Media është që provat e lira të reduktohen në dy sesione, me nga 1 orë secila, madje duke ulur edhe kohëzgjatjen e garës. Gjithsesi, këto janë vetëm disa nga idetë që kanë qarkulluar orët e fundit, të cilat do të diskutohen në një tryezë këtë fundjavë në Bahrein, për t’i dhënë një tjetër fytyrë sportit të Formula 1.
