Futboll Sport

Dueli i mbijetesës, ky është skenari për Kamza – Vllaznia

Pas rezultateve të javës së 35 të Kategorisë Superiore vijon lufta për mbijetesën mes Kamzës që ka 43 pikë dhe Vllaznisë me 41. Dy pikë, por që në fund mund të kemi një parakalim të frikshëm në bazë të skenarëve që mund të vihen në punë për të shpëtuar njërën apo tjetrën skuadër.

Por, llogaritjet e drejta tregojnë se vetëm dy rezultate mund të çojnë në mbijetesën e Vllaznisë. Pra, në rast se Partizani fiton kundër Kamzës dhe Vllaznia kundër Skënderbeut. Në këtë mënyrë nuk do t’iu hyjmë llogaritjeve për golavarazhin, pasi në fund në tabelën e klasifikimit do të jetë Vllaznia 44 pikë në vendin e 8 dhe Kamza në vendin e parafundit me 43 pikë dhe do të bjerë direkt.

Por, nëse Kamza do të barazojë dhe Vllaznia të fitojë, atëherë do të ketë dy skenare. Nëse Kamza barazon 0-0 dhe Vllaznia fiton 3-0, atëherë golavarazhi do të jetë i barabartë dhe gjithçka do të përcaktohet me anë të shortit për këto dy ekipe sipas rregullores së FSHF-së.

Në rast se Kamza barazon 0-0 dhe Vllaznia fiton 4-0, atëherë bie Kamza dhe mbijeton Vllaznia. Pra, Vllaznia duhet të fitojë ndeshjen me një gol më tepër për të dalë me golavarazh pozitiv mbi Kamzën që të mbijetojë.

Gjithçka rrjedh në këtë mënyrë sepse në ndeshjet direkte mes këtyre dy skuadrave ka golavarazh 3-3 dhe pikë të barabarta të ndara mes tyre, 5-5. Ndeshja e parë në Kamëz në javën e 6 të kampionatit u mbyll me fitoren e kamzalijve me rezultatin 1-0, ndërsa takimi i dytë në “Loro Boriçi” u mbyll me fitoren 3-2 për Vllazninë. Megjithatë, dy golat e Kamzës në fushën e kuqebluve në rregulloren e FSHF-së nuk merren për bazë.

Duke iu referuar golavarazhit të përgjithshëm të të dyja skuadrave në tabelën e renditjes, Kamza ka 36 gola të shënuar dhe 41 të pësuar. Nga ana tjetër, Vllaznia ka 33 të shënuar dhe 41 të pësuar.

Që do të thotë se Vllaznia në përballjen kundër Skënderbeut duhet të fitojë me diferencë prej 4 golash që të parakalojë Kamzën në rast se kjo e fundit barazon pa gola kundër Partizanit. Ky është i gjithë skenari, Vllaznia duhet të lutet për fitoren e Partizanit mbi të gjitha!

Renditja
8. Kamza 36/41 43 pikë
9. Vllaznia 33/41 41 pikë

Java 6 Kamza – Vllaznia 1-0
Java 15 Vllaznia – Kamza 3-2
Java 24 Kamza – Vllaznia 0-0
Java 33 Vllaznia – Kamza 0-0

Java e fundit
Partizani – Kamza
Skënderbeu – Vllaznia

Neni 88, pika 4

Nëse dy ose më shumë ekipe kanë grumbulluar të njëjtën sasi pikësh, renditja e tyre në tabelën e klasifikimit përcaktohet duke mbajtur në konsideratë kriteret si më poshtë:
a) pikët e grumbulluara në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse;
b) diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse;
c) diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar gjatë Kampionatit Kombëtar të Futbollit, për Kategorinë Superiore, sezoni futbollistik 2017-2018;
d) numri më i madh i golave të shënuar gjatë Kampionatit Kombëtar të Futbollit, për Kategorinë Superiore, sezoni futbollistik 2017-2018;
e) me short.

Related posts

“NDESHJA NUK SHTYHET”/ Mourinho për COVID-19: Nuk do të ketë probleme

Delo.autor

NUK KA NDODHUR PREJ 60 VITESH/ Juventusi thyen rekordin e “errët” në histori

Delo.autor

KORONAVIRUSI NË MEKSIKË/ 22 lojtarë të klubit të futbollit Cruz Azul pozitivë me COVID-19

Delo.autor

Leave a Comment