Futboll Sport

Sekreti i luftëtarëve të Uruguait: Shpirt skuadre dhe “El Maestro” Tabarez

Uruguai nuk është më një surprizë e këtij Botërori. Gazetari i “Daily Mail”, Met Barlou i ka kushtuar një editorial special Oskar Tabarezit dhe djemve të tij, që po i tregojnë botës mbarë efektin e një futbolli të lindur në një komb prej diçka më shumë se tre milionë banorësh. “La Garra Charrua” (Forca Çerruane) ose ndryshe shpirti unik luftarak i popullit uruguaian, iu ushqye skuadrës nga Oskar Tabarezit kur ai filloi të ndryshonte fatin e një kombi të vogël, por krenar të futbollit. Teksa lojtarët dolën nga dhomat e zhveshjes pas fitores me Portugalinë të shtunën, ata këndonin muzikë popullore që si solist kishte Kristian Rodrigezin.

Ishin momente feste, por njëkohësisht edhe një lloj imponimi i identitetit të tyre përpara se t’i drejtoheshin qendrës së “tyre” stërvitore në Nizhni Novgorod. Ndryshe nga shumë kombëtare në këtë Botëror, Uruguai nuk është në kërkim të ambienteve të luksit me gjashtë yje. Ata preferojnë të krijojnë në Rusi ambient modest që t’i ngjasojë shtëpisë, megjithëse janë larg saj. Ekipi ka marrë me vete 180 kilogramë çaj mate dhe 320 kilogram qumësht të kondensuar, ushqime tejet të përhapura në Amerikën Latine dhe shumë të preferuara nga futbollistët e atij kontinentit.

Edhe stërvitjet e Edinson Kavanit me shokë janë të veçantë. Pas çdo seance, lojtarët zhvillojnë ndeshje mes tyre dhe humbësit duhet t’u shërbejnë darkën fituesve. Të udhëhequr në fushë nga kapiten Diego Godin, ata nuk kanë asnjë iluzion në lidhje me misionin e tyre në Rusi. “Ne nuk u ndalëm”, deklaronte trajneri Tabarez pas sfidës kundër portugezëve. “Kur shkova në fushë, munda të dëgjoj kapitenin tonë (Godin) duke thënë se po luanim për etërit tanë, nënat, fqinjët dhe vëllezërit, ndaj secili nga lojtarët duhet të jepte më të mirën”.

NJË SIMBOL I KUPËS SË BOTËS

Ndërsa trupi i tij bëhet çdo ditë e më i dobët, (ai vuan nga sindroma Gijon-Bare, e cila dëmton sistemet nervore të trupit dhe ka nevojë për një patericë për të ecur) mendja e tij mbetet e fuqishme. Oskar Uashington Tabarez, 71 vjeç, kërkon respektimin e plotë të lojtarëve uruguaianë ndaj medias së vendit, e cila e quan prej vitesh “El Maestro”, një pseudonim i frymëzuar nga e kaluara e tij akademike si mësues dhe bazohet në fjalët qetësuese të diturisë së tij. Aventura e tij e parë në krye të Uruguait ishte në Botërorin “Itali ’90”. Ai nuk u dorëzua dhe 16 vjet më pas rimori skuadrën e zemrës, të cilën e drejton tashmë prej 12 vjetësh. Në 2010-ën arrin kulmin teksa Uruguai renditet mes katër më të mirave në Botërorin afrikan, një arritje e madhe për një komb prej “vetëm” 3.6 milionë banorësh.

TAKTIKA

Mbajtja e topit është një koncept i mbivlerësuar sipas “El Maestros”. “Shpesh mendojnë se duke mbajtur topin, do të shënosh, por kjo nuk ndodh me ne”, tha Tabarez pas fitores ndaj Portugalisë, duke shtuar më pas se: “Në Itali, mbajtja e topit adhurohet si askund tjetër. Në Kupën e Botës në Afrikën e Jugut në vitin 2010, arritëm në gjysmëfinale, por vetëm Afrika e Jugut kishte mbajtur topin më pak se ne”. Mbrojtja është një tjetër pjesë e mozaikut, të përsosur deri tani, uruguaian. Goli i Pepes për Portugalinë në ndeshjen e Soçit ishte i pari që pësonte Uruguai nga nëntori i vitit të kaluar. Godin dhe Hose Gimenez mbrojnë sikur jeta varet prej punës së tyre dhe teksa Ronaldo i heshti, Franca do të paraqesë një test tjetër në çerekfinale me lojtarë si Olivie Zhiru në sulm, Kilië Mbape në krah apo me lojtarë inteligjentë si Paul Pogba.

DISIPLINË

Autori i këtij shkrimi, Met Barlou, tregon se ishte një nga dy gazetarët anglezë që u dëbuan nga qendra stërvitore e Uruguait në Botorin brazilian. “Uruguai ngaherë ka qenë një ekip fizik dhe cinik. Është pjesë e kulturës së tyre të futbollit. Ata kanë pësuar probleme imazhi që nga zhgënjimi i tyre në Kupën e Botës 1986, kur morën shumë kartonë të kuq, ndaj prej 30 vitesh kanë një tolerancë të ulët ndaj polemikave. Një karton i verdhë më pak në katër ndeshje është një ndryshim i lehtë nga e kaluara. “Nuk do të thosha se është një strategji”, shpjegon mesfushori Lukas Torreira. “Jemi përmirësuar në shënjestër, në mbrojtje, teksa nuk shtiremi për të përfituar më shumë faulle”.

TALENTE DHE PËRVOJË

Gjashtë lojtarë kanë më shumë se 100 prezenca dhe mbi ta ka rënë pesha më e madhe e kërkesave të trajnerit. Nga ana tjetër, Tabarez i ka besuar verbërisht katër djemve të rinj, çelësat e mesfushës. Rodrigo Bentankur i Juventusit, Torreira, i vendosur t’i bashkohet Arsenalit nga Sampdoria, Matias Vesino i Interit dhe Nahitan Nandez nga Boka Juniors, megjithëse në Botërorin e tyre të parë, po shkëlqejnë përtej pritshmërive. Çdo aksion duhet të përfundohet nga Kavani e Suarez, të cilët nga qyteza e Salto ku kanë lindur, po i tregojnë botës mbarë se çfarë janë në gjendje të bëjnë, sigurisht nën urdhrat e Tabareziy, nën efektin e mates dhe me krenarinë e “La Garra Charrua”…

Related posts

SEZONI I TURBULLT TEK REAL MADRIDI/ Isco del publikisht kundër trajnerit Solari

Delo.autor

NJË NGA FUTBOLLISTËT MË MODESTË NË QARKULLIM/ Kante përdor të njëjtën makinë që nga viti…

Delo.autor

REAL MADRID-VALENCIA/ “Los Blancos” përfitojnë një penallti, Benzema nuk fal nga pika e bardhë (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment