“Për mënyrën si gjuan dhe si shmang mbulimin e kundërshtarit, më kujton shumë Shevchenko-n”. Ky është mendimi i Hernan Crespo për Krzysztof Piatek, sulmuesi i ri i Milanit që ka bërë për vete “San Siro-n” (dhe jo vetëm) pas dygolëshit që eliminoi Napolin në çerekfinalet e Kupës së Italisë.
Ish-sulmuesi argjentinas, që ka luajtur me Shevan në sezonin 2004-05, ka dhënë mendimin e tij për polakun.
– Çfarë ju befason më shumë nga Piatek?
“Lehtësia me të cilën gjen portën. Nëse e keni vënë re, ai nuk pret asnjë sekondë, nuk i jep kohë mbrojtësit për të ndërhyrë. E ka kuadratin e portës në mendje, nuk ka nevojë ta shikojë: gjuan fort dhe me saktësi. Golat kundër Napoli-t janë një tregues i qartë”.
– Gattuso, me të cilin keni luajtur, e ka krahasuar me Tomasson. Jeni dakord?
“Tomasson ishte shumë i aftë në ndihmën që i jepte mesfushorëve dhe krijimin e hapësirave për shokun e sulmit, por nuk ishte një finalizues i madh. Për mendimin tim, duke parë si gjuan dhe si shmang mbulimin e mbrojtësve, më kujton shumë Shevchenko-n”.
– Disa thonë se Piatek është Crespo i ri.
“E shikoj pak veten tek ai, edhe pse dua ta ndjek me më shumë vëmendje. Mendoj se jemi të ngjashëm fizikisht, duhet ta vlerësoj sa i fortë është me kokë. Shevchenko, i cili ishte një fenomen, kishte karakteristika të ngjashme me ato të Piatek: ishte vrasës në kundërsulm, nuk mund t’ia merrje topin, ishte i fuqishëm dhe kishte një shpejtësi në ekzekutim që rrallëherë e kam parë”.
