Champions League Futboll Sport

“JA ÇFARË NA THANË PAS STËRVITJES”/ Bonuçi: Holandezët të rrezikshëm, por ne jemi Juventusi

Lojtarët e Juventusit njohën dje kundërshtarët e tyre për çerekfinalet e Champions-it pas stërvitjes në fushën e tyre përgatitore. Leonardo Bonuçi foli për gazetarët që prisnin në dalje të fushës lojtarët bardhezinj. Mbrojtësi pohoi se u njoftuan për verdiktin e shortit vetëm kur mbaroi stërvitja.

 

“Na thanë në përfundim të seancës. Do të ndeshemi kundër një skuadre që po kalon një formë të mirë, dinamike dhe plot me lojtarë të talentuar”, u shpreh Bonuçi. “Këtë ata e demonstruan edhe në ndeshjen ndaj Realit të Madridit. Ne jemi gati për çerekfinalet. Do të luajmë me vendosmëri dhe me eksperiencën që kaluam në fazën e kaluar. Duam t’iu dhurojmë tifozëve tanë dy net të tjera të magjishme”. Mbrojtësi vazhdon më tej, duke analizuar holandezët.

“Ata janë një klub i mirorganizuar. Kanë dëshirë për të vazhduar sa më gjatë në këtë kompeticion, duke dhënë gjithçka në fushën e lojës. Do të jenë dy ndeshje shumë intensive, por ne treguam se çfarë duhet të bëjmë në ndeshje të tilla. Duhet të luajmë si Juventusi që fitoi kundër Atletikos”.

32-vjeçari kujton edhe një herë ndeshjen me spanjollët, duke falënderuar tifozët për mbështetjen e madhe që i dhanë skuadrës. “Ishte një mbrëmje magjike, falënderoj edhe një herë tifozët dhe të gjithë skuadrën që ishte në fushën e lojës. Por, edhe ata që na mbështetën nga stoli. Ka shumë entuziazëm në skuadër dhe duam të përjetojmë sërish ato emocione. Pas asaj ndeshjeje, mentaliteti ynë është në rritje, kemi zbuluar një Juventus të ri, një që sulmon dhe një që të zbavit”.

Pas ndeshjes me Atletikon nuk munguan as komplimentet për njeriun e ndeshjes, Kristiano Ronaldo. Leonardo Bonuçi zbulon edhe fjalët që i tha yllit portugez, pasi shënoi tre gola. “Pas fitores ndaj spanjollëve e përgëzova Kristianon. Ai u tregua një alien. Në fakt, e gjithë skuadra luajti mirë. Të gjithë dhanë çdo gjë për të fituar në fushë”.

SYTË NGA XHENOA – Ndeshja e radhës në kampionat do të jetë ajo ndaj Xhenoas në transfertë. “Në shtëpi ata janë një skuadër shumë e vështirë, pasi luajnë me intensitet dhe agresivitet duke mbajtur lart rimtin e ndeshjes. Por ne duam ta mendojmë atë një nga katër ndeshjet që duhet fituar për të shkuar sa më pranë titullit kampion”, tha lojtari. Juventusi kryeson kampionatin italian i vetëm me 75 pikë. Plot 18 pikë më shumë se ndjekësit e Napolit që renditen në vendin e dytë me 57 pikë, të ndjekura më pas nga dy skuadrat e Milanos, Milanit me 51 dhe Interi i vendit të katërt me 50 pikë.

Related posts

TENTATIVA PËR UELLSIANIN/ Man United planifikon transferimin e Ramseyt

Isa.Autor

Befason Antonio Conte: FA Cup e parëndësishme për Chelsean

Q.Autor

Liverpool ul pretendimet, por askush nuk e do sulmuesin e tyre…

Q.Autor

Leave a Comment