Basketball

NBA/ Harden “jashtëtokësor”. Warriors “bien” ndaj Magic, humbin edhe City Thunder

Një tjetër mbrëmje emocionuese por edhe me surpriza në NBA, ku u luajtën 6 ndeshjet e radhës. Kopertinën e spektaklit dhe performancës jashtë normales e prenotoi James Jarden. “Ylli” i Houston Rockets kontribuoi me plot 58 pikë, 10 asiste dhe 7 “rebound” në suksesin 121-118 ndaj Miami Heat. “Mjekroshi” arriti të realizonte thuasje gjysmën e pikëve të skuadrës teksane, për të cilën ishte suksesi i katërt radhazi. Nga 21 pikë shënuan Dragic dhe Olynyk, por pa mundur të shmangnin humbjen e Heat.

Surpriza e madhe ndodhi në “Amway Center” të Orlandos, aty ku kampionët në fuqi të Golden State Warriors u “rrëzuan” 103-96 përballë Magic. Provë e rëndësishme për të zotët e shtëpisë, në radhët e të cilëve shkëlqeu veçanërisht Aaron Gordon me me 22 pikë e 16 “rebound”. Warriors, çuditërisht, u “fikën” në periodën e fundit, duke zhvlerësuar 33 pikët e Steph Curry-t dhe nga 21 të Klay Thompson e DeMarcus Cousins.

Nuk përfituan nga humbja e kampionëve Denver Nuggets, që u “rrëzuan” 104-111 ndaj Utah Jazz, të cilët shfrytëzuan formën e Donovan Mitchell dhe Kyle Korver, që realizuan respektivisht 24 dhe 22 pikë.

Tjetër rezultat surprizë u shënua në “Chesapeake Energy Arena” të Oklahomas, ku City Thunder u mposhtën 104-108 nga Philadelphia 76ers. Sërish “triple-double” nga Russell Westbrook: 23 pikë, 11 asiste dhe 11 “rebound”, por më shumë vlerë për rezultatin përfundimtar mori “triple-double” i Ben Simons, që e mbylli takimin me 11 pikë, 11 asiste e 13 “rebound”. Shënuesi më i mirë rezultoi Harris i 76ers me 32 pikë.

Arritën fitoren e 41-të sezonale Indiana Pacers, që iu imponuan 122-115 Minnesota Timberwolves. Për miqtë nuk mjaftuan plot 42 pikë dhe 17 “rebound” të Karl-Anthony Towns, ndërsa iu afrua rekordit personal Bojan Bogdanovic i Pacers, me plot 37 pikë.

Në “Madisson Square Garden” New York Nicks shpërdoruan një avantazh prej 14 pikësh të arritur në fillim të periodës së katërt, duke humbur në fund 118-125 ndaj Cleveland Cavaliers.

 

Rezultatet:

Indiana Pacers-Minnesota Timberwolves 122-115

Orlando Magic-Golden State Warriors 103-96

New York Knicks-Cleveland Cavaliers 118-125

Houston Rockets-Miami Heat 121-118

Oklahoma City Thunder-Philadelphia 76ers 104-108

Denver Nuggets-Utah Jazz 104-111

Related posts

Tirana mposht Teutën dhe rihap betejën për titull

Sadik.Autor

EUROLEAGUE/ Barcelona siguron fitoren e parë, CSKA Moscow kryeson rënditjen

Isa.Autor

BASKETBOLL/ Barcelona lëshon kreun, Real e Anadolu kryesojnë Euroleague

Delo.autor

Leave a Comment