Futboll Sport

HISTORIA E PABESUESHME E VAN DIJK/ Nga “mbrojtës i djathtë i ngathët”, në qendërmbrojtësin më të mirë në botë

Virgil van Dijk konsiderohet në këtë moment si një ndër qendërmbrojtësit më të mirë në botë dhe të shumtë janë ata që mendojnë se është absolutisht mbrojtësi më i mirë dhe më i kompletuar në qarkullim. Mbërritja deri në këtë pikë nuk ka qenë një shëtitje, por një aventurë e mbushur me vuajtje, punë, djersë dhe sakrifica.

Askush nuk mund ta parashikonte para një dekade se Van Dijk do të bëhej ky që është sot, por si ia ka dalë holandezi të transformohet një lider te Liverpool dhe një pikë referimi për të krahasuar qendërmbrojtësit?

FILLIMI

Holandezi 27-vjeçar e ka nisur futbollin tek akademia e Willem II, para se të kalonte te Groningeni. Që në fillimet e karrierës Virgil hasi jo pak probleme, duke nisur nga problemet fizike.

“Gjuri im nuk ishte në rregull, kisha probleme edhe me kofshën. Kisha shumë probleme, por më pas kreva rehabilitim dhe qëndrova jashtë për 6 javë. Më pas, nisa të luaj mirë”, tregon Van Dijk, në një intervistë për BBC Radio 5 Live.

Si shpesh ndodh me futbollistët e rinj, edhe Van Dijk nuk e nisi si qendërmbrojtës, sepse luante si mbrojtës i djathtë, edhe pse nuk kishte ndonjë aftësi të veçantë në sulm.

“Në moshën 16-vjeçare isha një mbrojtës i djathtë i ngadaltë dhe jo fort i mirë për të luajtur në qendër. Vetëm kur luajta te U19 e Willem II dhe u bëra kapiten nisa të bija në sy. Aty gjithçka nisi të përmirësohej”.

Më pas Van Dijk kaloi në ekipin e parë të Groningenit dhe luajti 66 ndeshje me ekipin e parë, duke dhënë shenja të mira, sepse jo vetëm që mbronte, por nisi të shënonte rregullisht, sidomos falë epërsisë në duelet ajrore.

RRUGËTIMI JO I ZAKONSHËM

Zakonisht, kur një futbollist i ri bie në sy në Holandë, shkon te një ndër 3 klubet gjigante (Ajax, Feyenoord apo PSV Eindhoven), për të vazhduar procesin e rritjes dhe për të treguar se është gati për të shkuar në ndonjë kampionat më të rëndësishëm e më të pasur.

Van Dijk kërkohej nga Ajax, por kryeqytetasit zgjodhën Mike van der Hoorn, një vendim i gabuar, që u kritikua nga disa njerëz që atëherë.

Van Dijk e pranon se rruga që ndoqi nuk ishte normale: “Nuk kam bërë rrugëtimin e zakonshëm për një futbollist holandez. Normalisht, nga Groningen transferohesh te një klub i madh në Holandë dhe më pas jashtë. Për shembull, Luis Suarez shkoi nga Groningen tek Ajax e pastaj te Liverpool.

“Për mua, klubet më të mëdhenj nuk deshën të më preknin, nuk ishin të sigurt a ia vleja. Duhej të vendosnim – prita sa prita dhe pastaj zgjodha Celtic”.

Fati i Celtic, sepse në Skoci Van Dijk u përmirësua jashtëzakonisht dhe u bë edhe një ekzekutues i shkëlqyer i goditjeve të dënimit.

Pjesëmarrja në Champions league ndihmoi zhvillimin e tij, por kombëtarja holandeze e përfilli vetëm kur shkoi në Angli, te Southampton.

Ishte hap i madh dhe Van Dijk nuk do të ndalej më, me Southampton-in që zbuloi një tjetër minierë ari, si shpesh në dekadën e fundit.

Kur erdhi momenti, Liverpool vendosi të bënte çmenduri financiare dhe pas një beteje të gjatë, arriti ta blinte për një shifër rekord për një mbrojtës.

Tani, pas më shumë se 60 ndeshjesh me The Reds, mund të thuhet pa frikë se ka qenë një martesë e bekuar nga Zoti. Van Dijk nuk ka pasur asnjë problem të ambientohet në Liverpool, në një “tenxhere me presion”, ku presioni është i frikshëm, ashtu si te Holanda, ku pas vitesh dështimesh trajneri Ronald Koeman i ka dhënë shiritin e kapitenit dhe rezultatet po vijnë, me disa fitore të shkëlqyera në Nations League.

Tani Van Dijk është një kandidat i fortë për çmimin Lojtari i Sezonit në Premier League, kokë më kokë me Raheem Sterling apo Sergio Aguero.

MBROJTËS MODERN I SHKOLLËS SË VJETËR

Van Dijk ka shumë arsye pse mund të shpallet Lojtari i Sezonit. Pa titull prej 29 vitesh, Liverpool është kokë më kokë me Man City dhe një nga arsyet është kontributi i djaloshit nga Breda.

Shpesh duket se Van Dijk ka bërë repart i vetëm, duke përmirësuar edhe ata rreth tij. Javën e shkuar Liverpool fitoi në fund ndaj Tottenham-it, pak pas Tottenham kishte humbur një rast ideal me Moussa Sissoko, i cili gjuajti mbi traversë, edhe për faktin se i vetëm përballë Van Dijk nuk dinte ç’të bënte, të driblonte apo pasonte.

“Pashë Sissoko dhe e di që përdor këmbën e djathtë, ndërsa Son zakonisht është lojtari që godet portën, ndaj vendosa të mbroja më shumë krahun e Son, duke e lejuar Sissoko të avanconte dhe të gjuante”, tha Van Dijk pas ndeshjes.

“Kjo është arsyeja pse Liverpool ka paguar më shumë se 70 milionë sterlina për Van Dijk”, tha trajneri i Spurs, Mauricio Pochettino, më vonë.

Related posts

Lajm fantastik për mesfushorin shqiptar, rikthehet Eros Grezda

Sadik.Autor

TELASHE PËR MBROJTËSIN/ Arrestohet ish-lojtari i Juventus dhe i Inter, mbante një plantacion kanabisi

Delo.autor

RACIZMI NDAJ ANGLISË/ Presidenti i Federatës merr vendimin ekstrem

Delo.autor

Leave a Comment