Futboll Kategoria Superiore Sport

GJOBA 1 MILIONË EURO NGA CAS/ Flet Gjergj Muzaka: Dua të qëndroj tek Skënderbeu, por…

Skënderbeu tashmë është në luftë të hapur me atë dënim që rrezikon ta zhdukë nga futbolli shqiptar. Nëse nuk ia dalin dot as në Gjykatën Federale të Zvicrës, pasojat do të jenë shumë të rënda.

Në kushte të tilla, e gjithë vëmendja është e përqendruar tek e vetmja shpresë e mbetur e Skënderbeut, që është Gjykata Federale në Zvicër. Nga ana tjetër, përpos përqendrimit maksimal te kjo shkallë e drejtësisë, korçarët, por mendojnë edhe për ekipin që do të ndërtojnë për sezonin që po troket. Në prag të sezonit të ri futbollistik Skënderbeu është i vendosur për të mbajtur lojtarët që janë nën kontratë dhe për të rikonfirmuar senatorët e ekipit.

Mes tyre qëndron edhe Gjergj Muzaka. Mesfushori tiranas, në një intervistë për “Panorama Sport”, tregon se si e priti vendimin e KASit për të lënë në fuqi dënimin e UEFA-s si dhe planin e tij për të ardhmen në klubin korçar. Për Muzakën, Skënderbeu mbetet ekipi shembull që arriti të thyente limitin e klubeve shqiptare në Europë dhe duhet të kalojnë shumë vite që dikush tjetër të përsërisë arritjet e Skënderbeut.

Vendimi i KAS-it sa rëndon mbi të ardhmen e klubit?

Është një vendim sa i rëndë aq dhe i papritur për të gjithë ne. Duke ditur si u zhvillua e gjithë dëgjesa dhe procesi në KAS, nuk e prisnim kështu. Është një dënim 10-vjeçar, por praktikisht do ta quaja të përjetshëm për nga vendimi drastik që iu dha klubit.

Në këtë pikë, kur Skënderbeu mbetet i dënuar sa i vështirë do të jetë vijimi i strategjisë së këtij klubi?

Nuk e di, të them të drejtën, brenda hapësirave që të lejon dënimi. Por, presidenti besoj se e ka bërë vetë të qartë që duhet të luftojë dhe nuk do të dorëzohet deri në fund për të provuar pafajësinë e klubit në lidhje me akuzat që i janë bërë.

Muzaka, në të tilla kushte si do të veprojë për sa i përket të ardhmes? A keni folur me presidentin?

Po, me presidentin kam biseduar shpesh si përpara, por edhe pas shpalljes së këtij vendimi. Normalisht kishim bërë plane të tjera nëse vendimi do të ishte pozitiv. Por, në këto kushte, në plan të parë ka qenë e ardhmja e klubit. Jam i bindur që presidenti po përpiqet të bëjë dhe do të bëjë më të mirën për klubin dhe skuadrën, por mbi të gjitha për qytetin e Korçës. Rinovimi për sa më përket mua është pjesa më e lehtë në gjithë këtë vështirësi që po kalon klubi.

Keni marrë ndonjë ofertë këto kohë për të gjetur një tjetër destinacion?

Është e vështirë për mua të shikoj për destinacion tjetër, për arsye që unë i kam bërë publike më herët, madje disa herë. Në këto kushte pres që të marrë zgjidhje kjo situatë.

Me Skënderbeun e dënuar ekipet shqiptare largohen nga Europa pa kaluar asnjë tur. Çfarë do të thotë për ju ky fakt?

E kemi thënë shpesh, ky vendim nuk ishte një dënim vetëm për Skënderbeun, por për të gjithë futbollin shqiptar. Dhe, më së miri u pasqyrua në ndeshjet e Europës për ekipet tona. Skënderbeu ishte një shembull dhe model për t’u ndjekur nga të gjitha skuadrat. Shembull për mënyrën e funksionimit dhe arritjen dhe suksesin, jo vetëm në kampionatin tonë, por edhe në arenën ndërkombëtare. Në mungesë të këtij Skënderbeu që vendoste standarde, humbi pika e orientimit, ra konkurrenca, ra niveli, ra cilësia. Për të gjitha këto mund të themi se rrjedhimisht edhe paraqitjet e mira në Europë nuk ishin ato që ishim mësuar të shihnim për Skënderbeun. Prandaj, duhet të kuptohet që ky është një dënim për të gjithë futbollin shqiptar dhe jo vetëm i një skuadre.

Related posts

Braçe flet për lojrat e fatit që mbeten pas datës 1 Janar: DO KENË…

Isa.Autor

Marcelo pas Cristiano Ronaldos, edhe ai ndjek Juventusin…

Sadik.Autor

“San Siro” si lojtar i shtuar për Interin. 110 000 spektatorë për dy ndeshjet e radhës

Isa.Autor

Leave a Comment