Futboll Sport

JUVENTUSI MË I FORTË SE VJET/ Ronaldo: Mosha për mua është thjesht numër

Juventusi ka bërë ndryshime në lojë krahasuar me kohën kur drejtonte Masimiliano Alegri, ndërkohë që me Mauricio Sarrin “Zonja e Vjetër” luan më hapur dhe është një skuadër me rezultate më të mira. Një ndër ata që mendon kështu është dhe sulmuesi portugez Kristiano Ronaldo. Ai doli në konferencë për shtyp para ndeshjes me Lokomotivën e Moskës, ku foli edhe për diferencat mes Sarrit dhe Alegrit. CR7 theksoi se me trajnerin aktual Juventusi është përmirësuar, ndërsa ai ka më shumë liri veprimi. “Me Sarrin kemi ndryshuar për t’u përmirësuar. Unë kam më shumë liri. Kemi ende gjëra për të rregulluar, por unë jam shumë i kënaqur. Më pëlqen ajo që Sarri kërkon që ne të bëjmë në fushë. Krahasuar me të kaluarën, krijojmë më shumë raste dhe e kemi më shumë në kontroll topin”, u shpreh Ronaldo. I ngacmuar nga gazetarët nëse është më e vështirë që Juventusi të fitojë Championsin, apo që “CR7” për topin e artë, portugezi u përgjigj: “Ne duhet të luftojmë që të afirmohemi sërish në kampionat dhe të kërkojmë për të fituar Championsin. Të rëndësishme janë rezultatet kolektive, ndërsa për Topin e Artë nuk kam asgjë për të thënë.” Në moshën 34-vjeçare, CR7 vazhdon të mahnitë në nivelet më të larta të futbollit, por për sa kohë mund ta ruajë këtë ritëm? “Për mua, nuk ka rëndësi mosha, është vetëm një numër. Për aq kohë sa do ta ndiej që mund t’ia dal të bëj atë që dua, do të luaj. A dëfrehem me Higuainin dhe Dibalanë? Dëfrehem me të gjithë shokët, janë të gjithë të fortë, edhe Kuadrado e Bernardeski”, shtoi Ronaldo. Padyshim që ai thumboi Alegrin, duke thënë se me Sarrin Juventus është më i fortë. Më pas portugezi foli për ambiciet personale, ku ka kaluar 700 golat e tani po mendon për gola të tjerë në Champions. “Nesër do të jetë një ndeshje e vështirë, jam i lumtur që kam shënuar 700 gola dhe të 701 të shtunën në darkë. Por nesër do të jetë një ndeshje tjetër, në një turne që duam ta fitojmë. Respektojmë shumë kundërshtarin por luajmë në fushën tonë dhe ndjehemi favoritë. Kemi ndryshuar shumë, nga trajneri te lojtarët, përdorim një sistem loje të ndryshëm dhe po luajmë më mirë. Do të japim maksimumin për të fituar sa më shumë që të jetë e mundur. Të fitojmë titullin, Kupën e Italisë dhe Ligën e Kampioneve, kjo është ajo që duam të bëjmë”, tha sulmuesi portugez para mikrofonave, dukshëm duke iu referuar skemave të lojës që aplikon Sarri krejt ndryshe nga Alegri. Në fund vjen qëndrimi i tij për objektivat sezonalë, kua ambicia e Juves dhe e Ronaldos është për tripletën. “Futbolli është një sfidë. Juventusi duhet të mendojë për gjëra të mëdha, një klub i tillë mendoj se duhet të veprojë kështu. Do të mundohemi që të fitojmë gjithçka, do të jetë e vështirë, por besoj se është e mundur hap pas hapi. Në aspektin individual vlen pak, nëse fitojmë si kolektiv, atëherë do të fitohet edhe në nivelin individual. Unë kaloj në plan të dytë”, përfundoi Ronaldo.

Related posts

Real Madrid– Girona, pjesa e parë përfundon 1-1

Q.Autor

LIVE U-19/ Luhet për mrekullinë, Vllaznia kërkon përmbysjen ndaj Astanës

Isa.Autor

“Infermieria” e JUVENTUSIT/ DE SCIGLIO përsëri “ko”, DYBALA pritet të…

Isa.Autor

Leave a Comment