Futboll Kombëtarja Shqipëri Sport

“SHQIPËRIA ËSHTË NË PERIUDHË RRITJE DHE NDËRRIM BREZASH”/ Rrëfen Ansi Agollit: Ja pse nuk u bashkova me De Biasin…

Ish-kapiteni i Kombëtares tani është në rol të ri, atë të drejtim it të një akademie futbolli në Amerikë, Nju Jork. Ansi Agolli, ekskluzivisht për “Panorama Sport”, tregon hapin e ri në karrierën e tij, raportet me ish-trajnerin De Biazi dhe arsyen pse nuk iu bashkua në krye të Azerbajxhanit, karriera me Tiranën dhe pse nuk e mbylli si bardheblu, Kombëtarja e Rejës dhe si është ky brez në raport me Shqipërinë e Europianit.

Agolli ka një mesazh për të rinjtë apo edhe për Armando Sadikun, për të cilin thotë se në mënyrë të ngjashme me zgjedhjen e sulmuesit për t’u transferuar në Bolivi, ka bërë më herët mbrojtësi kur u transferua në Azerbajxhan nga Ukraina. “Shqipëria është në progres të vazhdueshëm me Rejën, duhet ende kohë për ta analizuar çfarë është bërë apo jo”, tha ndër të tjera Agolli.

Ansi, si po shkon angazhimi me akademinë në Amerikë?

Kemi nisur punën me të që nga shtatori 2020. Edhe pse një moment jo shumë i mirë për ta hapur atë për shkak të pandemisë, jam i kënaqur dhe ecuria ka qenë përtej pritshmërive. Tani që gjërat po shkojnë mirë, motivimi është akoma më i lartë për të bërë gjëra edhe më të mira në vazhdim. Jam i fokusuar në rritjen e akademisë, nga ana sasiore dhe cilësore për atë që do t’u japim fëmijëve. Për momentin kemi rreth 60 fëmijë. Duke marrë parasysh se po e bëjmë jashtë vendit tonë, është një shifër e kënaqshme. Janë kryesisht shqiptarë. Ka gjithashtu shumë elementë spanjollë apo edhe nga Italia. Momentalisht kam dy grup-mosha me të cilat do të marrim pjesë në një ligë, në një program zhvillimor: U-11 dhe U-13. Akademia ime nis nga mosha 6 deri në 14 vjeç.

Angazhimi me akademinë e konfirmon fundin e karrierës si lojtar?

Nuk është ndonjë surprizë e madhe kjo (qesh…). Nëse Agolli i jep fund futbollit të luajtur, është diçka e pritshme. Madje, ky moment e ka tejkaluar edhe pritshmërinë time. Fokusi im në të ardhmen do të jetë transmetimi i eksperiencës futbollistike te fëmijët, të rinjtë.

Agolli, pse nuk e mbyllët karrierën te Tirana?

Ndikuan angazhimet e mia familjare, sidomos transferimi në Amerikë. Familja ishte arsyeja pse ika. Prandaj, s’munda ta mbyllja te Tirana.

Keni pengje me bardheblutë?

Realisht, jo. Me Tiranën kam fituar gjithçka, si nga aspekti shpirtëror, mbështetja që kam marrë, por edhe në aspektin profesional në rritjen si futbollist si dhe sukseset sportive. I kam arritur kënaqësitë maksimale që një futbollist mund të arrijë duke veshur fanellën e klubit legjendar dhe më të titulluar në Shqipëri.

Ju vjen keq që Tirana nuk ndërtoi një cikël fitues?

Nuk më vjen keq, sepse Tirana u rikthye te titulli. Keq më vjen që nuk e shoh Tiranën çdo herë të jetë aty, pretendente për të fituar, me pikë pranë vendit të parë në çdo moment. Megjithatë, ndoshta mentaliteti shqiptar, po flas në përgjithësi, është ende i tillë që kur fiton diçka, të bën neglizhent dhe të mos i bësh gjërat siç duhet.

Pse nuk iu bashkuat stafit të De Biazit tek Azerbajxhani?

Unë sapo e kisha hapur akademinë dhe për mua ishte moment i papërshtatshëm që të shkëputesha dhe të ndërmerrja një hap tjetër. Pra, nëse do të shkoja në Azerbajxhan, duhet ta lija akademinë e sapunisur. Ndoshta do të kem mundësi në të ardhmen për të bashkëpunuar, ndonjë eksperiencë tjetër jashtë Amerikës. Në atë moment, besoj se ka qenë zgjedhja e duhur për të qëndruar në Amerikë, pranë familjes dhe për të vazhduar atë projekt që kisha nisur.

Ju e njihni Azerbajxhanin. Si e keni parë Xhanin atje?

Mendoj se i gjithë ambienti futbollistik në Azerbajxhan është i vetëdijshëm për krizën që po kalon futbolli atje prej vitesh në lidhje me talentet apo prodhimtarinë shumë të paktë të lojtarëve cilësorë vendës. Nuk e kanë mundësinë siç e ka Shqipëria, me lojtarë vendës apo edhe familjet shqiptare që kanë emigruar në Europë, fëmijët e të cilëve janë gjithashtu mundësi për kuqezinjtë.

Pra, rriten në Europë dhe janë elementë cilësorë në dispozicion të Shqipërisë. Në Azerbajxhan nuk është ky luks. Ka pak lojtarë në Turqi apo Rusi. Prandaj, për De Bizin në këtë aspekt, është diçka krejt ndryshe që s’mund ta krahasosh me Shqipërinë. Edhe momenti që shkoi atje, nuk ishte i përshtatshëm, sepse nuk kishte kohë. De Biazi iku për të organizuar ekipin. Ishte edicion më shumë testues sesa për rezultat.

Si e keni parë Shqipërinë në Ligën e Kombeve?

Shqipëria është në periudhë rritjeje, tranzicioni dhe ndërrimi brezash. Ka shumë të rinj që afrohen, vijnë nga U-21 dhe që ata të rriten apo të japin edhe më shumë, u duhet ende kohë. Megjithatë, rezultati nuk mungoi në Ligën e Kombeve, objektivi u arrit për ngjitjen në ligë. Diçka pozitive që i rrit këto lojtarë nga ana e besimit. Sipas meje, analiza e saktë dhe e plotë do të mund të bëhet pas 1 apo 2 vitesh, kur këta të rinj të kenë pasur kohën për të treguar veten, të jenë pjekur dhe të jenë gati për sfida të vërteta.

Cili është objektivi real i Kombëtares në kualifikuese?

Synimi për momentin është që të marrë maksimumin e pikëve. Në çdo moment do të duhet të jetë ky. Së dyti, objektiv tjetër në shërbim të ekipit do të jetë edhe fakti që këta të rinj që janë, sa më shumë të luajnë bashkë, aq më shumë lidhen dhe rriten së bashku. Të gjitha këto, në shërbim të kualifikueseve të tjera. Shqipëria ka detyrimin që të japë maksimumin dhe unë mendoj që nuk duhet ta mendojnë do kualifikohemi apo s’do kualifikohemi.

Kaq i pamundur ju duket grupi për të marrë rezultat?

Bëhet fjalë për një grup shumë të vështirë. Prandaj, them që detyra kryesore jona është të bëjmë më të mirën tonë në çdo ndeshje dhe duke kërkuar që të marrim maksimumin në secilën.

Ka vërtet Shqipëria nevojë për ndërrim brezash kaq shumë?

Ka gjithmonë nevojë. Ndodhi me De Biazin, po ndodh dhe do të ndodhë edhe në të ardhmen. Lojtarët e mirë e meritojnë një shans në çdo moment. Pak më lart, thamë që Azerbajxhani nuk ka mundësinë të ketë kaq shumë shanse. Ne fatmirësisht e kemi. Diçka pozitive nga ana e konkurrencës që elementët e rinj, cilësorë t’i provosh dhe trajneri të ketë sa më shumë mundësi zgjedhjeje për idetë e tij.

Si e keni parë diskutimin e skemës, me 3 apo me 4 mbrapa?

Shqipëria tani ka më shumë mundësi për të ndërtuar skema mbrojtëse apo edhe sulmuese për të ardhmen. Varet nga trajneri se çfarë do të kërkojë. Cilësia është dhe ke mundësi të manovrosh.

A është ky brez më i mirë se ai i Europianit?

Brezi sa vjen dhe përmirësohet, sidomos kur shikon që në kampionatin italian luajnë rregullisht kaq shumë shqiptarë apo edhe në kampionate të tjera, në kaq moshë të re si Kumbulla te Roma etj. Për një vend si Shqipëria, është diçka shumë pozitive.

Mavraj shprehej se në moshë të re brezi juaj nuk kishte kaq mundësi…

Produkti që kalon nga kampionati shqiptar jashtë vendit, nisur edhe nga eksperienca personale, tani është bërë më e lehtë nga sa e kemi pasur ne. Trampolina nga Shqipëria tani është “në modë”, pasi kampionati shqiptar është futur në rrethin e biznesit të futbollit, është më e lehtë për lojtarët që të ekspozohen në Europë.

Por, për lojtarët që rriten jashtë, nuk mendoj se e kanë kaq të lehtë pasi që të luash në Serinë A, ata kanë kaluar sprova pa fund, të vazhdueshme, deri në momentin që ngjiten në skuadrën e elitës italiane. Ata të rinj, kanë pasur gjatë gjithë kohës skautë që i kanë vëzhguar dhe matur vlerat në çdo moment, deri kur vjen momenti që të meritosh të shkosh te një prej pesë ekipeve elitare në Itali.

Pse kapitenët e Shqipërisë, në vitet e fundit, jetojnë jashtë?

Kjo është zgjedhje personale. Për veten time them se është zgjedhje e menduar më përpara, për të ardhmen e familjes, sidomos të djalit. Ndoshta një ditë Agolli mund të kthehet.

Pse asnjëri prej jush nuk ka rol aktiv në futbollin tonë?

Të kesh një rol, nuk nënkupton domosdoshmërisht të jesh në një post. Pasi mund të shërbesh edhe për shembull duke ndihmuar një lojtar të talentuar që del nga Shqipëria për t’i dhënë një mundësi në një vend tjetër me kontaktet që ke. Ose, edhe bisedat apo këshillat, apo shkëmbimi i eksperiencave me shokët tanë që janë ende në Shqipëri.

Si ju është dukur trajneri Reja në Kombëtare?

Çdo gjë ka ardhur në përmirësim. I njohu shpejt lojtarët. Ka pasur edhe ato momente në fillim kur skuadra nuk i përgjigjej siç donte ai dhe për këtë ka pa fund arsye sidomos kur provon të rinj. Liga e Kombeve ishte test për të ndërtuar diçka më të mirë për të ardhmen.

A keni peng ose diçka që ju ka mbetur në memorie për karrierën tuaj?

Peng, jo. Më ka mbetur në memorie momenti kur u transferova nga Ukraina në Azerbajxhan. Atë periudhë, mendova se nuk do të grumbullohesha më në Kombëtare, pasi realisht nuk dija thuajse asgjë për futbollin azer.

S’e kisha dëgjuar ndonjëherë. Ndaj, u fokusova më shumë te skuadra, duke bërë më të mirën, me idenë që vetëm atë mundësi do të kisha për të luajtur dhe të isha gjithmonë më mirë se e djeshmja. Dhe kjo më dha rezultate atje, për të arritur në nivele europiane dhe për të qenë edhe në shërbim të Kombëtares sime. Pra, kur kam ndërmarrë një risk të tillë, besoj se çdo zgjedhje tjetër do ta përsërisja sërish sikur të rikthehesha pas në kohë.

Sadiku ka bërë një transferim në një vend “të panjohur”, në Bolivi. Keni këshillë për të, si të mos e humbë Kombëtaren?

Ajo që mund t’i them Armandos, është që tek ekipi i tij të bëjë çdo moment maksimumin, në stërvitje dhe në ndeshje. Ka pasur një periudhë jo të lehtë edhe ai, me disa dëmtime, por i ka superuar me forcë dhe vullnet. Kjo skuadër i jep shansin që të tregojë veten dhe nëse e bën, do të ketë mundësinë të rikthehet në Kombëtare, por mund të jetë fare mirë edhe një trampolinë për të që të kalojë në futbollin amerikan.

Agolli trajner i Tiranës apo i Kombëtares, cila është ëndrra juaj?

Agolli trajner i akademisë “AB7 Soccer Academy” (qesh…). Tani që nuk jam më pjesë e Kombëtares, i uroj çdo të mirë asaj dhe futbollistëve që të ecin sa më lart. Për të ardhmen, është e vështirë për ta parashikuar. Megjithatë, ndonjëherë ndodh që në futboll gjërat rrotullohen shumë shpejt. Ku i dihet…

Related posts

LAJM I TRISHTË për Luis ENRIKEN/ DËMTOHET sulmuesi kryesor i SPANJËS

Isa.Autor

GODET ME DEKLARATËN PËR DYBALAN/ Legjenda e Inter: Ai është një lojtar i shkëlqyeshëm, por nuk…

Delo.autor

SUKAJ KUJTON GOLIN NË DERBI/ Por shikoni zhgënjimin e Egbo në fundin e ndeshjes (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment