Futboll Sport

“EURO 2020″/ Anglia dhe Italia favoritet e mëdha, por Spanjës s’i duhet ngacmuar nervi. Ja kush e fiton…

Sot do të mësojmë finalisten e parë të “Euro 2020” pas Itali-Spanjë e cila do të prodhojë biletën e parë të finales së “Wembley”-t më 11 korrik. Por, sa shanse kanë katër skuadrat e mbetura të turneut për të bërë këtë hap të parafundit, përpara sfidës së shumëpritur të së dielës së ardhshme.

Dikush më shumë apo më pak, shanset i kanë të gjitha. Ky ka qenë një Europian surprizash dhe i tillë mund të vazhdojë të jetë deri në fund. UEFA ka skanuar të katra skuadrat gjysmëfinaliste: Italinë, Spanjën, Anglinë dhe Danimarkën, duke analizuar pikat e tyre të forta dhe të dobëta dhe se përse secila prej tyre mund të shpallet më e mira e kontinentit më 11 korrik.

PSE FITON ITALIA – Forcë grupi, skuadra e Mançinit i bën të gjitha

Axurrët luajnë futboll sulmues me zotërim të dendur topi me tre mesfushorë shumë teknikë si Verrati, Zhorzhinjo (truri i vërtetë i skuadrës) dhe Barela, zhvendosësi i topit me shpejtësi. Tre sulmuesit kombinojnë mirë mes tyre dhe mund të shënojnë gjithnjë gola të shkëlqyer, siç Kieza e tregoi ndaj Austrisë apo Insinje kundër Belgjikës.

Mirëpo, Italia ka treguar se kur është e nevojshme ndërton një bllok solid për të mbrojtur portën e Donarumës, me mbrojtësit veteranë Kielini dhe Bonuçi, të cilët transformohen në gladiatorë, duke larguar çdo top kërcënues në zonë. Italia është kombinimi perfekt i forcës së rinisë dhe eksperiencës së moshës.

PORTIERI MË I MIRË? – Kevin de Bryjne do jetë duke menduar ende për atë goditjen në pjesën e parë në çerekfinale. Topi po i drejtohej në mënyrë perfekte shtyllës së dytë dhe kur mesfushori i Belgjikës po bëhej gati për të festuar, një dorë e Donarumës e devijoi në këndore. Portieri është vetëm 22 vjeç, por quhet veteran, sepse ka 31 ndeshje me kombëtaren dhe 215 me Milanin në Serinë A. A është e mundur të plotësosh boshllëkun e njëfarë Xhanluixhi Bufon? Po, kur quhesh Xhanluixhi 2.

FORCA E GRUPIT – Nga dita e parë çdo lojtar thekson se sa i bashkuar është grupi. “Nuk kemi lojtarë si Ronaldo apo Lukaku. Ylli ynë është grupi”, thotë Bonuçi, i cili e kaloi shifrën e 100 ndeshjeve me kombëtaren, por thotë se kjo është përfaqësuesja më e mirë me të cilën ka luajtur.

ENTUZIAZMI – Mançini ka bërë një punë të shkëlqyer dhe kjo është e qartë. Lojtarët shijojnë çdo minutë së bashku dhe e reflektojnë në fushë. Sakrifikojnë për njëri-tjetrin dhe janë gati të vdesin në fushë.

NGA ANA TJETËR – Humbja e Spinacolës ishte një goditje e rëndë për Mançinin. Ai ishte një prej më të mirëve në këtë Europian për Italinë, duke u shpallur dy herë lojtari i ndeshjes, por tendina e Akilit e tradhtoi yllin e Romës. Energjia e tij do të ndihet tek Italia. A do të jenë “Axurrët” të njëjtët pa super Spinacolën? Është një pyetje që do t’ia mësojmë përgjigjen menjëherë sonte në mbrëmje.

PSE FITON SPANJA- Instinkti vrasës është atje, i fshehur diku

Nëse Spanja është në formë, nëse ata janë të lumtur nën lëkurën e tyre, atëherë një gol i tyre mund të shkaktojë një tornado. Në kohë të ndryshme ata i kanë shënuar 6 gola Argjentinës dhe Gjermanisë, 5 Sllovakisë dhe Kroacisë në këtë turne, 4 Ukrainës dhe nuk ka kaluar shumë kohë, që kur i realizuan edhe 3 Italisë, rivalit të ardhshëm sot në gjysmëfinale. 12 golat e këtij Europiani kanë barazuar rekordin e tyre të “Euro 2008’ dhe 201, kur u shpallën kampionë dhe kishin David Vijën apo Fernando Torresin në sulm.

LUFTARAKË – Janë të rinj dhe të papërvojë? Po. A është një skuadër në ndërtim e sipër? Pa dyshim. Ka karakter të tërbuar? Mund të vini bast për këtë.

TRAJNER ME PËRVOJË – Luis Enrike është specialist në leximin e kundërshtarit, por ai është një trajner sulmues. Ai nuk e përgatit skuadrën në varësi të asaj që bën kundërshtari. Ai e rreshton në fushë për të sulmuar dhe fituar. Ka treguar besim te Morata, të cilin ai ia shpërbleu. U tregua kokëfortë në fillim duke aktivizuar Markos Jorenten mbrojtës të djathtë, por kur ndryshoi me Sezar Azpilikuetën, Spanja fitoi eksperiencë dhe qëndrueshmëri.

ZËVENDËSIME TË GODITURA – Ndërrimet kanë qenë epike. Golat e shënuar apo prodhuar nga dy Torresat kundër Sllovakisë, asistet dhe golat e Pau Torresit, Olmos dhe Ojarzabalit ndaj Kroacisë dhe penalltia e fituar nga Ojarzabali kundër Zvicrës. Nuk e ka nofkën “Lucho” rastësisht, Luis Enrike është një luftëtar, një fitues.

NGA ANA TJETËR – Dakord, Spanja shënon shumë, por humbet edhe më shumë. Ka një ylber rastesh të shpërdoruara nga iberikët. Goditje të gabuara, pa shënjestër, duke prekur çdo pjesë të trupit të portierit, përfshirë fytyrën, kokën dhe shtyllat. Spanja i ka bërë të gjitha këto.

Dhe ajo që është më keq akoma, dëgjon kërcitjen e nervave në pjesën e mbetur të skuadrës, kur mendojnë se “po punojmë fort, po ndërtojmë raste për të shënuar dhe topi nuk do që të hyjë brenda”. Është një frazë e çuditshme, por ata e përdorin shpesh dhe po nisin ta urrejnë.

PSE FITON ANGLIA – “Luanët” perfektë luajnë në strofullën e tyre

Të vetmit gjysmëfinalistë që nuk kanë pësuar ende gol në këtë turne. Skuadra e parë që prej Italisë në vitin 1990 që nuk pëson gol në 5 ndeshjet e para të një turneu. Pikford po kalon formën e jetës dhe e ka treguar me pritjet ndaj O’Donëllit kundër Skocisë dhe Vernerit dhe Havercit ndaj Gjermanisë.

Përpara ka dy pistona si Uoker dhe Shou dhe dy kolosë si Meguajër dhe Stons që spastrojnë çdo top në zonë dhe ofrojnë siguri. Këtyre u shtohet edhe puna e “pistë” e Rajsit dhe Filipsit përpara. Dhe pas Italisë, Anglia është skuadra e dytë që pëson më pak goditje në kuadrat (10 në 5 ndeshje).

HARMONIA – Rrallë kemi parë një grup të Anglisë më të bashkuar se ky dhe këtë Sauthgejt e nënvizon gjithnjë. Është merita e tij për këtë frymë bashkimi që këtë të fundit nuk është se ka pasur pikën e saj më të fortë dhe historia e konfirmon.

EKSPERIENCA – Kur Anglia arriti në gjysmëfinalet e “Rusi 2018”, ishte hera e parë e tyre që mbërrinin kaq larg në një turne, që prej “Euro 1996”-ës. Pas tri vitesh, skuadra e Sauthgejtit e përsërit këtë eksperiencë, por me më shumë përvojë mbi supe. Sot ka 13 lojtarë që kanë luajtur në finalet e kompeticioneve më të rëndësishme europiane për klube.

SULMI I FRIKSHËM – Sterling po shkëlqen prej ndeshjes së parë, por festës i është bashkuar së fundmi edhe Kejn, me tre gola në fazat me eliminim direkt.

FAKTORI “WEMBLEY” – Anglia e hoqi qafe me sukses të vetmen transfertë në këtë Europian, çerekfinalen në Romë kundër Ukrainës. Tani “Wembley” pret gjysmëfinalen me Danimarkën me 60 mijë tifozë dhe po kaq edhe në finalen e 11 korrikut. Rekordi i Anglisë në shtëpi që pas “Rusi 2018” është fantastik: 14 fitore nga 17 ndeshje.

NGA ANA TJETËR – Por, nëse ky është momenti i Anglisë, i tillë është edhe për Danimarkën, “një skuadër që shkakton një dallgë emocionesh” e cilësoi Sauthgejt. Për më tepër, danezët kanë fituar në “Wembley” në tetor, suksesi i parë për një skuadër vizitore që prej Spanjës në shtator 2018. Ishte një pasdite ku kushtoi shumë gabimi i pjesës së parë nga Meguajër (u ndëshkua me karton të kuq), një mësim ky se vetëm një gabim e kthen ndeshjen.

PSE FITON DANIMARKA- Ka shpirt skuadre, po ka edhe shpirt danez skuadre

Pas një nisjeje shokuese, shpirti brenda skuadre ka pësuar vetëm rritje. Reagimi i Poulsenit në tribunë pas golit të Dolbergut ndaj Uellsit, një rival direkt për vendin e titullarit, i tregoi të gjitha. Lojtarët luftojnë për njëri-tjetrin dhe rasti i Eriksenit vetëm sa e ka forcuar grupin. Me këtë shpirt danezët kanë ardhur në këtë gjysmëfinale dhe mund të shkojnë edhe më larg.

LOJTARI I 12-të – Shumë skuadra në “Euro 2020” kanë mbështetje të shkëlqyer, por ajo e Danimarkës nuk ka të krahasuar. Sa herë ata luajnë, koha ndal. Në këto momente, i vetmi moment kur në qendrat e vaksinimit të COVID-it nuk ka radhë, janë 90 minutat kur luan kombëtarja. Stadiumi ka qenë gjithnjë plot dhe “Roliganët” danezë (huliganët paqësorë) “rrëzuan” tarracën e “Parken Stadium” kur skuadra luajti në shtëpi në fazën e grupeve dhe e transferuan pasionin e tyre edhe në Amsterdam dhe Bakun e largët në fazat e tjera.

ENTUZIAZMI – Ndërsa në shtëpi, çdo shesh qyteti apo fshati është kthyer në një fanzonë gjatë ndeshjes, trafiku bllokohet pas çdo ndeshjeje për të festuar në rrugë. “Do të doja të isha në qendër të Kopenhagenit për të qenë pjesë e asaj feste”, tha Breithueit pas fitores me Çekinë në çerekfinale. Hidra, gjarpri i ujit me 9 kokë në mitologjinë greke, sa herë një sulmues i priste një nga kokat, rriteshin dy të tjera.

Ajo që ndodhi me Eriksenin, ku Danimarka humbi lojtarin e sa më të mirë dhe liderin, u shndërrua në forcë. Numrin 10 po e zëvendëson 21-vjeçari Damsgard, lojtari më i ri i skuadrës. Kur Polsen dhe Vas nuk ia dolën për 1/8-at, Dolberg dhe Shtryger i zëvendësuan. Kur Delanejt i mbaron serbatori, Norgard e zëvendëson në perfeksion. Formacioni titullar është i shkëlqyer, por stoli po e dërgon skuadrën në një tjetër nivel.

NGA ANA TJETËR – Danimarka kë shënuar në çdo ndeshje që prej debutimit të tmerrshëm me Finlandën. Sot kanë 11 gola në Europian, një rekord për ta, por përballë do të kenë Anglinë që nuk ka pësuar ende gol. Për të shkuar në finale duhet thyer ajo mbrojtje e hekurt dhe për momentin kjo duket një mision shumë i vështirë, edhe pse danezët kanë treguar se asgjë nuk është pamundur në këtë turne.

Related posts

Franca e para, në pikiatë Gjermania dhe Argjentina. Ja renditja e FIFA-s, pas Botërorit

Isa.Autor

Një surprizë dhe tre rikthime, dita e parë e Flamurtarit të Dajës

Isa.Autor

E BUJSHME NGA ITALIA/ Në Itali zbulojnë të ardhmen e Strakoshës, brenda dy javësh do të…

Delo.autor

Leave a Comment