Futboll Sport

DUELI I “SAN SIROS”/ Milan-Juve në skaner. Diferencën e bëjnë portierët, ja nga anon përballja

Pritet spektakël në “San Siro”. Punë e madhe nëse fusha nuk jep garanci për lojtarët teknikë. “Zonja e vjetër” vijon ndjekjen ndaj vendit të katërt ashtu si Milani atë ndaj Interit kryesues. Dy ekipet do të kërkojnë fitoren të dielën mbrëma në 20:45, sepse barazimi do të ishte si një supë e vakët që nuk i ngroh barkun askujt. Ndaj, le ta analizojmë sfidën me duelet e saj.

MBROJTJA KUNDËR SULMIT – Në oqeanin e halleve që shoqërojnë kuqezinjtë që prej fillimit të sezonit ka edhe dy lajme të mira. Në rend kohor, e para ka të bëjë me rikthimin e Kalabrias që pësoi një tërheqje në kombëtare, e sapo e kishte marrë veten e zuri COVID-i. Problemi i dytë kishte prekur edhe Romanjolin, i cili u negativizua të hënën dhe prej tri ditësh stërvitet me grupin.

Pjesa tjetër janë problematika në lidhje me Kjaerin e Tomorin që janë të dëmtuar, mungesat prej Kupës së Afrikës dhe Hernandezin që nuk ka një zëvendësues natyral. Francezi duhet të ketë kujdes pasi në rast kartoni do të humbte derbin. Forma në rritje e Florencit është një arsye që Pioli ta rreshtojë titullar, ndërkohë që qendra e prapavijës do të mbështetet te Kalulu dhe Romanjoli. Pavarësisht ndryshimeve të shumta dhe ndëshkimeve të marra, mbrojtja e Milanit është e pesta e kampionatit me 25 gola të pësuar. Romanjoli me shokë do të sfidojnë Dibalën që është në formë brilante.

Argjentinasi do të ketë një tjetër rast për të treguar se është vendimtar, sidomos në ndeshjet e rëndësishme. Pas golave kundër Romës, Udinezes dhe Sampdorias, “La Joya” së bashku me Moratën do të jenë të vëzhguarit specialë. Spanjolli, në fakt, do të kërkojë golin me aksion pas penalltisë dhuratë që Dibala i bëri në Kupën e Italië. Edhe Bernardeski është gati të mbështesë repartin e avancuar ashtu si Keni me Kulusevskin. Këtu nuk duhet harruar Kaio Zhorzh që deri tani nuk ka pasur shumë hapësira. Pavarësisht emrave, problemet e “Zonjës” në sulm dihen pasi ekipi i Alegrit ka “baterinë” e bomberave të 11-të në Serinë A. Kjo është një arsye që drejtuesit bardhezi do të jenë veçanërisht të vëmendshëm në merkato për të përforcuar vijën e parë.

MESFUSHA – Eliminimi i Algjerisë nga Kupa e Afrikës ka rikthyer Ismael Benaserin në Milano që në ditën e djeshme. Ai do të grumbullohet për ndeshjen me Juven e nuk do të ishte çudi ta shohim si titullar. Do të jetë stërvitja e sotme që do të vendosë pikat mbi “i”, ndërkohë që rikthimi tjetër në mesfushë është ai i Tonalit që kundër Specias mungoi për shkak skualifikimi. “Diga” titullare është lajm veçanërisht pozitiv për Piolin pasi Bakajoko nuk është përgjigjur si duhet në rastet e nevojës, ndërsa Kruniç nuk është një lojtar i përsosur për të luajtur përpara mbrojtjes. Teksa kuqezinjtë bëjnë llogaritë, te Juvja ka disa mesfushorë për të cilët kjo mund të jetë hera e fundit që grumbullohen. Arturi ka kohë që flirton me Arsenalin dhe një paraqitje e mirë do t’i shtonte shanset për një transferim në Londër. Edhe Ramsej këmbëngul për t’u larguar, ndërkohë që Lokateli mezi pret të shkojë në stadiumin ku shënoi golin e parë si profesionist. Tre gola dhe dy asiste për djaloshin e formuar në akademinë e “Djallit” deri në këtë pikë të sezonit ku me mbi 2 mijë minuta, është lojtari më i përdorur nga Maks Alegri. Mesfushori tjetër gati për një fanellë titullari është Mekeni që ka ditur të përfitojë nga rendimenti me shumë ulje e ngritje i Bentankurit dhe Rabiosë.

SULMI KUNDËR MBROJTJES – Nëse ka diçka që e mban të qetë Stefano Piolin është faza sulmuese. Një bateri lojtarësh që i lejojnë kuqezinjve shumë zgjidhje në aspektin ofensiv. Edhe një herë do të jetë Zlatan Ibrahimoviç në majën e sulmit. Suedezi karikohet nga këto ndeshje dhe mezi pret të marrë për dore bandën e tij. Zhiru do ta nisë nga stoli për të qenë i gatshëm në çdo moment që trajneri mund të ketë nevojë. “Arma” tjetër e Milanit është Leao që po kalon një moment të jashtëzakonshëm. Nëse as portugezi nuk mjafton, atëherë po sjellim si argument faktin që “Djalli” ka shënuar 14 herë në 5 ndeshjet e fundit. Mbrojtja bardhezi vjen nga një periudhë sakrificash. Ruganit i është dashur të luajë si titullar në pesë ndeshjet e fundit radhazi ku në minutazh duhet përfshirë edhe shtesa e Superkupës. Kielini është gati dhe De Ligt pritet të luajë, ndërkohë që mund ta shohë fushën edhe Danilo, i cili u rikthye në Kupë pas 7 javësh ndalesë. Në rritje është edhe De Shiljo që e ka bërë Aleks Sandron të mos ndihet edhe aq i sigurt për formacionin. Edhe i riu Pelegrini, pavarësisht moshës së re, jep garanci e jo më kot bardhezinjtë kanë mbrojtjen e katërt më të mirë në Serinë A.

MENJA KUNDËR SHEZNIT – Donaruma kush? Populli kuqezi ka që prej nisjes së sezonit që shijon pritjet e Majk Menjasë. I ashtuquajtur “Magjiku”, ai i ka kthyer siguri repartit dhe është vlerë e shtuar kur prapavija vendos të qarkullojë topin apo të ndërtojë manovrën. Pasimet e gjata janë një specialitet i francezit, i cili ka dhënë edhe dy asiste sivjet, ndërkohë që pritjet vendimtare mbajnë Milanin ende në garë për titull. Në portën tjetër do të vendoset Vojçeh Shezni, i cili me Alegrin ka gjetur qetësinë që i mungoi në sezonet me Sarrin dhe Pirlon. Pas një nisjeje sezoni të dobët rritja e polakut vazhdon dhe alternimi me Perinin në disa raste i ka bërë mirë. Hierarkitë te Juvja respektohen dhe “Teku” kërkon hakmarrje ndaj Rebiçit me shokët.

Related posts

Dëmtimi ndaj Gironas, Costa do t’i mungojë 10 ditë Atleticos

Q.Autor

KËRKON PËRFORCIME TË MËMDHA/ Dortmund gati 20 milionë euro për mesfushorin Emre Can, ja vendimi i Juventus

Delo.autor

LIGA E KOMBEVE/ Izraeli drejt Elbasanit, bllokohen RREPTËSISHT rrugët e Tiranës

Isa.Autor

Leave a Comment