Futboll Sport

“JETA DHE KARRIERA IME…”/ Nga golat tek droga, “Perandori” Adriano tani shet… fanella

Jeta dhe karriera ime nuk ka pasur kurrë një sens logjik. Madje, as unë nuk arrij ta kuptoj se si nuk arrita një herë që ta dërgoja veten time në drejtimin e duhur. Gjithsesi, shpresoj që ta bëj tani e tutje”. Këto janë fjalët e një “Perandori”, i cili sado i frikshëm që shfaqej në fushat e lojës, sidomos me predhat që dilnin nga e majta e tij me bluzën e Interit mes viteve 2004-2008, më pas karriera avulloi si me magji.

Nga faqet e para që mahniteshin për nga fuqia e tij sulmuese, papritur imazhi i tij u lidh me shëmtinë e fotove ku Adriano Leite Ribeiro shihej i mbuluar nga alkooli, droga apo edhe armët e miqve të tij trafikantë. Në pak vite përfundoi nga luksi i Milanos në shtëpitë e sajuara me teneqe e tulla në favelat ku lindi.

Gjithsesi, teksa pret të mbushë 40 vjeç (më 17 shkurt 2022), Adriano po mendon vërtet që të nisë jetën e tij të dytë. Por, le të kalojmë disa nga etapat e 39 viteve plot dritëhije të ish-interistit.

KARRIERA
Nuk ka bërë ende 40 vjeç Adriano “Perandori”, ndonëse pamja e sotme e tregon shumë herë më të madh sesa aq, duke parë edhe thinjen e tij të shpejtë.

Nëse karriera e tij nuk do të ishte shkatërruar nga alkooli, shoqëritë e gabuara e të këqija, por edhe probleme të tjera me narkotikët, pa dyshim që sot ndoshta do të flisnim për një prej sulmuesve më të fortë që historia e futbollit kishte parë.

Dukë lënë mënjanë pak vite të sakta dhe në nivele prej kampioni, Adriano ka fituar faqet e para më shumë për bëmat sesa për arritjet, të cilat rrallëherë janë pranuar nga klube si Flamengo, Fiorentina, Parma, Inter, Roma, Korinthians e Majemi Junajtid, të cilat kanë qenë etapat e tij deri në vitin 2016, disa prej tyre edhe të përsëritura.

E vetmja gjë që mund të thuhet me siguri për “Perandorin” është se ka qenë lojtari me një prej gjuajtjeve më potente që futbolli modern ka njohur.

USHQIMI I GABUAR
I rritur pa një udhëheqës të vërtetë, në një favelë, por shumë i lidhur me prindërit dhe gjyshen e tij, e cila jetonte me lojtarin kudo, Adriano nuk ka pasur kurrë një mënyrë të ushqyeri të shëndoshë për një futbollist dhe kjo ia ka kushtëzuar jo pak edhe rendimentin e tij në fushë, në periudha të ndryshme të karrierës.

Madje, shumë herë më përpara sesa ai të binte edhe në kurthin e alkoolit, një “sëmundje” kronike që nisi të jetonte ngushtë me të, sidomos pas ndarjes nga jeta të babait.

Madje, ka zëra se kur u vu nën kontratë nga Roma, në një restorant jo larg “Trigorias” (qendra stërvitore verdhekuqe), janë ende të shumtë ata persona që kujtojnë ditët kur Adriano porosiste proshutë krudo pa dhjamë, të cilën sipër e spërkaste bindshëm me valë ulliri, kripë e piper. Madje, për t’u quajtur i ngopur konsumonte të paktën 5 ose 6 të atilla çdo mbrëmje.

ASPAK QEJF PËR STËRVITJE
Braziliani nuk ka pasur kurrë dëshirë që të stërvitej siç duhej, ndonëse ai shprehej se vetëm vazhdimësia në fushë i mjaftonte fizikut të tij që të ishte në formë. Gjithsesi, duke mos u ushqyer siç duhej nisi që të merrte disa kilogramë të tepërt.

“Arrita të kaloja edhe 100 kilet dhe kjo sepse nuk kisha dëshirë të stërvitesha, nuk kisha dëshirë të bëja asgjë siç ndodhte normalisht me shokët e mi. Unë mjaftohesha vetëm me pak palestër dhe disa gjuajtje me topin në portë. Stop me kaq dhe merrja makinën për në shtëpi”, tregonte Adriano.

Por edhe ditët e sotme nuk është se ka një fizik në formë, ndonëse po provon që 40-vjetori ta kapë me një stil jete dhe një fizik normal.

NJË “SHITËS” BLUZËSH
I rrënuar edhe ekonomikisht, gjë e cila e bëri që të kthehej të jetonte në favelë, madje në një rast u aludua edhe se kishte mbetur viktimë e një sherri me armë mes bandave në lagje, Adriano mësohet se prej pak vitesh është rikthyer që të punojë sërish në botën e sportit, nëse mund ta quajmë kështu…

Kompania “Adidas” e ka përzgjedhur atë si drejtor të shitjeve në Brazil dhe përdor imazhin e tij popullor në Amerikën e Jugut, për të promovuar shitjen e bluzave të reja të skuadrave të Flamengos dhe San Paolos. Jo vetëm kaq… Adriano organizon shpesh takime me djem më të rinj, për t’i sjellë në rrugë të mbarë, diçka që duket se ish-sulmuesit i pëlqen shumë.

RRJETET SOCIALE
Adriano nuk ishte nga ata tipa që kishin një marrëdhënie të mirë me median, përkundrazi… Njëherë në Milano iu desh që të ndalonte me forcë gjyshen e tij, e cila kishte mbushur një tenxhere me ujë të përvëluar, të cilën kërkonte t’ua derdhte nga ballkoni i vilës disa reporterëve që e prisnin poshtë shtëpisë “Perandorin” e Interit, i cili kishte nisur bëmat e shëmtuara.

Por ndërkohë, rrjetet sociale duket se e kanë tërhequr shumë edhe Adrianon, në të cilat ai numëron 7.5 milionë ndjekës, të cilëve u tregon shumë për nga përditshmëria e tij: nga puna personale, recitalet e vajzës së tij e deri tek udhëtimi i ri që ka nisur për të rikthyer veten në formë.

PËRDITSHMËRIA E “PERANDORIT
Biçikletë, ecje në këmbë, vrapime, pesha e mesazhe… Është kjo mënyra e re e të jetuarit me të cilën Adriano kërkon të shijojë realitetin. Ndonëse mishi vazhdon që të jetë baza e rendimentit të tij ushqimor, të paktën alkooli dhe drogërat duket se më në fund janë zhdukur nga jeta e tij.

Ndërsa më 6 dhjetor, siç lajmëroi vete në “Instagram”, Adriano ka nisur edhe një stërvitje intensive në një palestër të një prej miqve të tij të ngushtë.

PASARDHËSI FUTBOLLIST
Tani, shpresa e vetme e Adrianos është e gjitha te djali i tij 14-vjeçar, Adriano Leite Karvajo, i cili sapo ka firmosur me skuadrën U-15 të Gremios. Për momentin djaloshi duket shumë i qetë, i kthjellët dhe nuk duket se ka veset e errëta të babait.

Për Adrianon e vogël thonë se është shumë besimtar, luan si sulmues, ndonëse ndoshta jo me të njëjtat cilësi e talent si i ati, por me një kthjelltësi shpirtërore e psikologjike, e cila me shumë gjasa do t’i dhurojë një jetë, përveçse një karrierë sportive, mjaft më të qetë sesa ajo e “Perandorit”.

Related posts

FOTOLAJM/ Lewandowski me sfondin e flamurit kuqezi, Bayern falënderon shqiptarët për…

Delo.autor

“Portugalia varet nga Cristiano? Fitova një kafe, sepse kisha vënë bast që do ma bënit këtë pyetje”

Sadik.Autor

E PABESUESHME/ Humbja më e thellë nën drejtimin e Atletikos. Ja çfarë thotë Simeone për Dortmundin

Isa.Autor

Leave a Comment