New Orleans rihapi llogaritë e gjysmëfinaleve të Konferencës së Perëndimit në kampionatin amerikan të basketbollit, NBA.
“Warriors” u kundërpërgjigjën në periodën e dytë, duke iu afruar “Pelicans”. Por, pas pushimit të sfidës, ishte New Orleansi që vendosi përfundimisht diktatin në parket, duke e fituar këtë përballje.
Për Golden State, më i miri në fushë ishte Klay Thompson me 26 pikë, ndërsa Kevin Durant shënoi 22 pikë. Stephen Curry u aktivizua 28 minuta në këtë ndeshje, duke shënuar vetëm 19 pikë. Për New Orleansin, nga ana tjetër, ishte Anthony Davis ai që drejtoi skuadrën drejt fitores, me 33 pikë e 18 topa në tabelë, ndërkohë që dha një kontribut edhe Holiday, me 21 pikë.
Në gjysmëfinalen tjetër të Konferencës së Perëndimit, Houston Rockets mori kryesimin në serinë e përballjeve me Utah Jazz, pasi fitoi sfidën e tretë me rezultat 113-92. Houstoni e shfaqi superioritetin e tij ndaj kundërshtarëve që në dy periodat e para, duke i mbyllur me rezultatin 70-40.
Në dy periodat e tjera, Utah shfaqi krenarinë e tij dhe u përpoq që të ndryshonte situatën përpara publikut vendas, por e pati të pamundur duke parë edhe diferencën e madhe të krijuar.
Për Houstonin, që është skuadra favorite për të fituar titullin, si gjithnjë shkëlqeu James Harden , me 25 pikë e 12 asiste, por ai pati edhe ndihmën e Eric Gordon, që në 30 minuta aktivizim shënoi 25 pikë. Mjaft mirë u paraqit edhe Chris Paul, me 15 pikë të shënuara.
Ndryshe ndodh me statistikat e basketbollistëve të Utahut, që nuk janë shumë të larta. Rudy Gobert shënoi 12 pikë, ndërsa shënuesi më i mirë ishte Royce O’Neal me 17 pikë.