Formula 1

HAMILTON festë në shtëpinë e Ferrarit/ Raikkonen i dyti, Vettel përfundon…

Lewis Hamilton me Mercedes fitoi garën e Çmimit të Madh të Italisë në Formula 1, sukses i merituar i pilotit britanik, që bëri një garë në sulm dhe korri një fitore që e afron gjithnjë e më shumë me titullin kampion. Ai përfitoi edhe nga gabimet e rivalëve të tij, kryesisht të Sebastian Vettel, që në kthesat e para të garës nuk evitoi dot një kontakt me Hamilton dhe gjermani e mbylli garën i katërti pasi përfundoi në vendet e fundit. Mbi të gjitha, piloti i Mercedes arriti të mposhtë Kimi Raikkonen me makinën tjetër Ferrari, që e kryesoi garën në shumicën e kohës, por u detyrua të hapë krahun 8 xhiro nga fundi. Finlandezi u rendit i dyti, ndërsa i treti u rendit Valtteri Bottas me makinën tjetër Mercedes.

Edhe pse Ferrari ishte favorit për ta fituar garën e shtëpisë, pasi garonte para fansave të saj në pistën e Monza dhe e nisi atë me dy pilotët e saj në vijën e parë të startit, nuk festoi dot. Mercedes u tregua më konkrete në pistë, arriti të jetë e saktë në momentet vendimtare dhe e meritoi fitoren. Ndërkohë që Vettel mbetet zhgënjimi më i madh i garës, pasi u rendit i pesti edhe pse rikuperoi shumë pozicione pas kontaktit në start, por ndoshta ishte vetë fajtor.

Gara nis me një kontakt mes Hamilton dhe Vettel që në kthesat e para, me ferraristin që detyrohet të hapë krahun dhe përfundon në fundin e renditjes, pasi dëmton njëvendëshen e tij dhe në pistë hyn makina e sigurisë. Britaniku me Mercedes parakalon edhe Raikkonen pas daljes së makinës së sigurisë, por finlandezi kundërpërgjigjet dhe rimerr kreun që e humbi vetëm për pak metra. Ndërkohë që, nga vendet e fundit, Vettel nis rikuperimin dhe pas 15 xhirosh është i dhjeti në renditje.

Pas xhiros së 20-të nisin ndalesat e para dhe hap serinë Raikkonen, që ndërron gomat, por jo Hamilton dhe pilotët e tjerë, që qëndrojnë në pistë dhe hyjnë në bokse pas disa xhirosh. Vettel garon si i çmendur dhe kap vendin e pestë, ndërkohë që “dorëzohet” Daniel Ricciardo, që ka probleme me makinën dhe tërhiqet nga gara.

Për disa xhiro gara është e qetë, me Raikkonen që kryeson ndaj Hamilton, por pa u shkëputur dhe 8 xhiro nga fundi vjen parakalomi i britanikut, që merr kreun dhe e ruan atë deri në fund, duke triumfuar në shtëpinë e “kokëkuqes”. Duel i fortë për vendin e tretë, me Verstappen që e mbyll garën para Bottas, por holandezi i Red Bull penalizohet me 5 sekonda për një kontakt mes tyre disa xhiro më parë dhe dorëzon 2 pozicione (renditet i pesti). Ndërsa Vettel renditet i katërti dhe humbet shumë terren karshi britanikut në renditjen e përgjithshme, tashme -30 pikë Hamilton.

Related posts

FORMULA 1/ Piloti Bottas: Shumë presion për një fitore, makina e sigurisë “aleate” e Lewis

Delo.autor

FORMULA 1/ 4 euro bileta, 40 mijë tifozë të pranishëm në garën turke

Delo.autor

Propozimi: Duhet shtuar numri i skuadrave dhe makinave në Formula 1

Q.Autor

Leave a Comment