Piloti i Ferrarit në Formula 1, Kimi Raikkonen, është një njeri fjalëpaktë, por ato janë gjithë “poetike”, në mënyrën e vet.
Finlandezi i ftohtë është një personazh mjaft interesant, aq sa tashmë është bërë edhe një libër “haiku”, ku përfshihen frazat e pilotit dhe mesazhet në radio me skuadrën e tij.
Haiku është një formë tradicionale e poetikës japoneze, ku çdo poemë ka 17 rrokje.
Libri quhet ‘Winnow Your Words’ (‘Shoshiti fjalët”) dhe u publikua në tetor, por më pas u prodhuan edhe 10 mijë kopje, për shkak të kërkesave të panumërta nga tifozët e Kimit.
Autosport, partneri që ka publikuar librin, e ka përshkruar librin si “kremtim i mënyrës së të folurit të saktë, lakonike dhe pa dykuptimësi të Kimit. Asnjë fjalë e panevojshme, por realisht plot karakter. Ashtu si në haiku, bukuria është tek ajo që nuk thuhet”.
Ja disa shembuj nga haiku në librin e Kimit:
“Telefonat
gjithnjë pa zë.
Nuk më pëlqen kur bie zilja dhe
njerëzit më telefonojnë“.
“Gjithnjë dëshiron
të kesh një makinë fituese,
por nuk ka garanci
që ajo do të jetë e tillë”.
Më lakonik se kaq, nuk bëhet!
Të ardhurat nga shitja e librit do t’i kalojnë Grand Prix Trust – një organizatë jo-fitimprurëse që ndihmon personat e punësuar në Formula 1 që t’i kthehen jetës normalisht, kur gjërat shkojnë keq.